Ambasada e Shteteve të Bashkaura të Amerikës, ka reaguar për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, një zëdhënës i Ambasadës deklaroi se ky ngërç po vonon progresin e aspiratave të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës.
Tutje, iu bëhet thirrje liderëve politikë të Kosovës, që të punojnë për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit.
“Ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fortë për t’i krijuar. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e një kryetari dhe zëvendëskryetarëve. Ata duhet t’i përdorin javët e ardhshme për të gjetur një rrugë përpara që siguron një udhëheqje të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, thuhet në përgjigjen për Klankosova.tv.
Ambasada theksoi se ShBA pret të punojë me Qeverinë e Ardhshme të Kosovës për të çuar përpara stabilitetin rajonal.
The post Moskonstituimi i Kuvendit, Ambasada e ShBA-së: Po rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës appeared first on Klan Kosova.