E enjte, 11 Dhjetor, 2025
spot_img
HomeShowbizMoscertifikimi i kandidatëve të Listës serbe, reagon Demokracia në Veprim

Moscertifikimi i kandidatëve të Listës serbe, reagon Demokracia në Veprim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e së mërkurës nuk ka certifikuar kandidatët për deputetë të Listës serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

E lidhur me këtë ka reaguar sot Demokracia në Veprim.


“Demokracia në Veprim shpreh shqetësimin për vendimin e sotëm të KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe, pavarësisht se ata kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente. Procesi i certifikimit është një fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, e cila duhet të bazohet në kriteret ligjore dhe praktikat e konsoliduara të administrimit të zgjedhjeve, jo në interpretime apo vendimmarrje të motivuara politikisht”, thuhet në reagim.

DnV vlerëson se KQZ-ja që disa herë devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme.

“Përvoja e deritanishme tregon se vendime të tilla, brenda pak ditësh, zakonisht anulohen ose ndryshohen nga instancat e larta të ankesave, duke krijuar vonesa të panevojshme dhe minuar besimin në administrimin zgjedhor.

Kompetencën për të verifikuar kandidatët nëse kanë plotësuar kushtet apo nuk i kanë plotësuar sipas Ligjit, e ka vetëm Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll financiar të subjektiveve politike. Sipas neni 27 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Zyra i rekomandon KQZ-së për ose kundër certifikimit. Zyra këtë veprim e ndërmerr pasi që ka shqyrton listat e kandidatëve. Sipas Ligjit, kompetenca e KQZ-së në këtë rast është vetëm formale për ta votuar dhe miratuar vendimin e një trupe profesionale të KQZ-së. Për më tepër, sipas nenit 30 të ligjit, përshtatshmëria juridike e kandidatëve vlerësohet vetëm mbi bazën e vlerësimeve të institucioneve relevante, filtër ky i përmbushur nga kandidatët e subjektit në fjalë”, thuhet në reagim.

DnV thekson tutje se administrimi zgjedhor kërkon vendimmarrje profesionale, të pavarur dhe në pajtim me ligjin, dhe u bën thirrje anëtarëve të KQZ-së, që të shmangin abstenimet dhe vendimmarrjet e tilla, por të sigurojnë që proceset zgjedhore të mos dëmtohen nga vendime që tejkalojnë kompetencat ligjore ose praktikën e deritanishme. /Telegrafi/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT