Indi në djegiet e shkallës së 3-të ka pamje si mish i zier ose i pjekur dhe me ngjyrë të verdhë. Në rastin e djegieve të shkallës së 4-të indi është i karbonizuar
Djegiet, për fat të keq, janë të shpeshta në kuzhinë, por edhe gjatë disa aktiviteteve të tjera, për shembull gjatë hekurosjes. Kur ndodh kjo ndjesi e dhimbshme është e rëndësishme të reagojmë në kohë dhe në mënyrë të duhur, sepse kështu mund të kontrollojmë më mirë dhimbjen dhe të shërohemi më shpejt. Djegiet, pavarësisht nga shkalla e tyre, kërkojnë reagim të shpejtë dhe të saktë. Mjekët thonë se hapi i parë është ftohja, pastaj pastrimi dhe mbrojtja e lëkurës. Nëse keni dilema, mos improvizoni, sepse disa djegie, veçanërisht ato të thella, mund të çojnë në infeksion ose në dëmtim të indeve të ndjeshme dhe për këtë arsye kërkojnë ndihmë profesionale.
Dr. Lourdes Castañón, kirurge, thotë se djegiet janë lëndime të shpeshta dhe të papritura, sidomos nëpër shtëpi. Ajo shpjegon çfarë duhet të bëjmë kur digjemi dhe sa e sigurt është trajtimi në kushte shtëpie, transmeton Telegrafi.
Trajtimi i djegieve: Hapi i parë – ftohja, por jo me akull
Pavarësisht nëse djegia është pasojë e kontaktit të lëkurës me sobën e nxehtë, vajin, avullin apo si rezultat i ekspozimit në diell, ndihma e parë është gjithmonë e njëjtë, ndaloni burimin e nxehtësisë dhe ftohni zonën e prekur, thotë mjekja dhe shpjegon procedurën.
Së pari, largohuni nga burimi i nxehtësisë: fikni sobën, largohuni nga dielli etj. Hapi i radhës është ftohja.
– Shpëlajeni djegien për 10 deri në 20 minuta me ujë të vakët që rrjedh (jo me ujë të ftohtë ose akull), thotë Dr. Castañón. Nëse nuk keni qasje në ujë, mund të përdorni edhe një leckë të pastër dhe të lagësht.
– Hiqni nga trupi sendet e ngushta, bizhuteritë, rripat ose rrobat e ngushta, për të shmangur ënjtjen. Lani lëkurën me sapun të butë dhe ujë. Shmangni fërkimin, alkoolin dhe kimikatet e forta, këshillon ajo.
Në fund, mbrojeni djegien, mbulojeni zonën e djegur me garzë të pastër ose me fashë që nuk ngjitet. Rekomandohet gjithashtu të zvogëlohet dhimbja me barna që shiten pa recetë si ibuprofeni ose paracetamoli.
Trajtimi në kushte shtëpie: Çfarë ndihmon dhe çfarë dëmton?
Shumica e djegieve më të vogla (të shkallës së parë, me skuqje të lehtë ose flluska të vogla) mund të trajtohen me sukses në shtëpi. Rekomandohet që plaga të mbahet e pastër dhe e thatë, të lahet butë 1 deri 2 herë në ditë, më pas të thahet me tamponim, kurrsesi me fërkim.
– Përdorni pomada antibiotike që shiten pa recetë ose vazelinë (petrolatum). Shmangni pomadat me parfume, ngjyra ose përbërës irritues, thotë Dr. Castañón. Për djegiet nga dielli, e dobishme është edhe aloe vera. Është e rëndësishme që fashat të ndërrohen rregullisht; nëse ngjiten te plaga, njomini me ujë para se t’i hiqni.
– Pini mjaftueshëm lëngje, sepse një organizëm i hidratuar shërohet më shpejt. Ndiqni simptomat dhe kushtojini vëmendje shenjave të infeksionit si skuqja, qelbi, temperatura e lartë, dhimbja që përkeqësohet, thekson mjekja.
Gabimet më të shpeshta në kujdesin e djegieve
– Kurrsesi mos përdorni akull, gjalpë ose vaj. Këto metoda mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi. Akulli mund të shkaktojë dëmtime shtesë të indeve, ndërsa gjalpi dhe vaji e mbajnë nxehtësinë. Mos i shponi flluskat, sepse kështu rritni rrezikun e infeksionit. Në rast dhimbjeje të fortë ose skuqjeje, patjetër kërkoni ndihmë mjekësore, thotë Dr. Castañón.
Kur duhet të kërkojmë ndihmë mjekësore?
Jo të gjitha llojet e djegieve mund të trajtohen në kushte shtëpie. Është e nevojshme të kërkoni ndihmë të menjëhershme në rastet e mëposhtme:
Sipërfaqja e djegies është më e madhe se 7–8 cm (afërsisht sa madhësia e pëllëmbës së dorës së një të rrituri)
Është djegur fytyra, duart, këmbët, organet gjenitale ose nyjet
Indi në djegiet e shkallës së 3-të ka pamje si mish i zier ose i pjekur dhe me ngjyrë të verdhë. Në rastin e djegieve të shkallës së 4-të indi është i karbonizuar. Dhimbja është e fortë dhe rritet.
Ekzistojnë edhe shenja infeksioni si temperaturë e lartë, qelb, ënjtje, nxehtësi në prekje.
– Te djegiet më të mëdha dhe më të thella, ose nëse janë prekur zona të ndjeshme të trupit, ndihma urgjente mjekësore është e domosdoshme – thekson Dr. Kastanon.
Kategori veçanërisht të ndjeshme
Lëkura e fëmijëve është më e hollë dhe më e ndjeshme, ndaj edhe ekspozimi i shkurtër ndaj zjarrit ose avullit shkakton djegie më të rënda. Personat e moshuar shërohen më ngadalë dhe mund të kenë sëmundje shtesë që e vështirësojnë rikuperimin. Nëse fëmija ose një person i moshuar pëson edhe djegie të vogël, këshillohuni me mjekun ose vizitoni qendrën e urgjencës, këshillon kirurgia.
Parandalimi fillon në shtëpi
Djegiet mund të parandalohen me masa të thjeshta dhe vetëm pak më shumë kujdes.
▪ Përdorni ndezësit e pasmë të sobës sa herë që të jetë e mundur.
▪ Kujdes që të mos rrëzoni tiganët ose që dorezat të mos jenë të ekspozuara ndaj nxehtësisë.
▪ Kurrë mos gatuani duke mbajtur fëmijën në krah.
▪ Kontrolloni temperaturën e ushqimit dhe pijeve para se t’ia jepni fëmijës.
▪ Vendosni bojlerin në maksimum 49°C për të shmangur djegiet nga avulli i nxehtë
▪ Shmangni mbulesat e tavolinës që fëmijët mund t’i tërheqin duke përmbysur ushqime të nxehta
▪ Përdorni kapakë mbrojtës për sobat, prizat dhe pajisjet
▪ Mbani pije të nxehta, hekurat e rrobave e të ngjashme larg duarve të fëmijëve
▪ Vendosni detektorë tymi në çdo dhomë gjumi dhe korridor
▪ Mbani në shtëpi një komplet të ndihmës së parë. Mësoni fëmijët si të mbrohen.
/Telegrafi/