Një i ri është vënë në prangat e policisë këtë të enjte në Korçë, për armëmbajtje pa leje.
Por kur efektivët i shkuan në banesë për t’i sekuestruar armën dhe për ta arrestuar, 26-vjeçari me inicialet R.L i kërcënoi ata me jetë. Megjithatë efektivët arritën ta neutralizojnë dhe të riut iu sekustrua arma e zjarrit, të cilën e kishte me fishek në fole gati për qitje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje kishte siguruar dhe mbante përsëri armë zjarri, organizuan punën dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Again’.
Në momentin e ndërhyrjes, 26-vjeçari ka kundërshtuar të hapë derën dhe ka kërcënuar me jetë punonjësit e Policisë.
Pas thirrjeve të bëra nga ana e Policisë dhe ndërhyrjes profesionale, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 26 vjeç, banues në Korçë, person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.
Policët sekuestruan armën e zjarrit tip pistoletë, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ai kërcënoi punonjësit e Policisë.