“Mos e ushqeni krokodilin”, Netanyahu kritikon Evropën dhe i bën thirrje Hamasit të dorëzohet

"Mos e ushqeni krokodilin", Netanyahu kritikon Evropën dhe i bën thirrje Hamasit të dorëzohet

Në një intervistë me Euronews, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se “barra është mbi Hamasin” që të lirojë menjëherë pengjet që mban ende dhe të pranojë plotësisht marrëveshjen e paqes të udhëhequr nga Trump, mes kritikave të ashpra ndaj Evropës.

“Mos e ushqeni krokodilin sepse do t’ju ndjekë”, u bëri thirrje kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu udhëheqësve evropianë.


Bëhet e ditur se kryeministri izraelit foli vetëm disa ditë para dyvjetorit të sulmit të 7 tetorit 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1,200 njerëz dhe morën peng rreth 250 të tjerë.

Hamasi aktualisht mban 48 pengje, rreth 20 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë.

Sipas planit të udhëhequr nga Uashingtoni, të cilin presidenti i SHBA-së Donald Trump e zbuloi më parë këtë javë së bashku me Netanyahun, Hamasi do të lironte menjëherë pengjet e mbetura, të gjallë dhe të vdekur.

Grupi militant do të hiqte dorë gjithashtu nga pushteti në Gaza dhe do të dorëzonte armët e tij.

Në këmbim, Izraeli do të ndalonte ofensivën e tij dhe do të tërhiqej nga pjesa më e madhe e territorit, do të lironte qindra të burgosur palestinezë dhe do të lejonte një fluks ndihmash humanitare.

“Marrëveshja, nëse Hamasi e pranon atë, mund të jetë fillimi i fundit të luftës”, tha Netanyahu.

“Arsyeja pse Hamasi ra dakord për këtë marrëveshje në radhë të parë është sepse ne vepruam ushtarakisht kundër fortesës së tyre kryesore”, deklaroi ai.

“Si rezultat, Hamasi u bë më fleksibël ndërsa kuptoi se fundi është afër.”

“Le të shpresojmë se mund ta përfundojmë në mënyrën e lehtë dhe jo në mënyrën e vështirë”, deklaroi lideri izraelit.

Një zyrtar i Hamasit tha më parë këtë javë se disa elementë të planit janë të papranueshëm dhe duhet të ndryshohen, pa dhënë hollësi.

Netanyahu e ka hedhur poshtë këtë, duke thënë se Hamasi duhet të dorëzohet dhe të çarmatoset pa rezerva.

“Nuk mund ta pranojë pjesërisht, duhet ta pranojë plotësisht”, tha ai.

“Nëse në të vërtetë krijojmë një administratë civile në Gaza që nuk i edukon fëmijët e saj të mos e urrejnë Izraelin, të vrasin hebrenjtë kudo… atëherë mendoj se i gjithë rajoni mund të ketë një të ardhme shumë më pozitive dhe paqësore.”

Sipas Netanyahut, nëse Hamasi refuzon ta pranojë marrëveshjen në tërësi, SHBA do ta mbështesë plotësisht Izraelin në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës ushtarakisht.

“Banorët e Gazës tani po luftojnë kundër Hamasit, sepse tani po shohin shpresë për ta zhdukur Hamasin.”

“Mendoj se të gjithë e kuptojnë se sundimi i Hamasit ka marrë fund”, vazhdoi ai.

“Na duhet një sistem ndarjeje përgjegjësie. Në Gaza do të na duhet një administratë civile e administruar jo nga njerëz të përkushtuar ndaj shkatërrimit të Izraelit”, shtoi tutje Netanyahu.

Ndryshe, raportohet se territori i rreth 2 milionë palestinezëve do të vendoset nën qeverisje ndërkombëtare, me vetë Trumpin dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair që do ta mbikëqyrin atë.

Plani nuk ofron asnjë rrugë për ribashkim përfundimtar me Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli në një shtet të ardhshëm palestinez.

Shumica e udhëheqësve kryesorë të Hamasit në Gaza dhe mijëra luftëtarë të tij janë vrarë tashmë, por ai ende ka ndikim në zonat që nuk kontrollohen nga ushtria izraelite dhe ndërmerr sulme sporadike që kanë vrarë dhe plagosur ushtarë izraelitë.

Hamasi i është përmbajtur fort qëndrimit të tij se do të lirojë vetëm pengjet e mbetura, të cilat janë monedha e tij e vetme negociuese, në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një tërheqjeje të plotë ushtarake izraelite.

Izraeli ka kërkuar të shtojë presionin mbi Hamasin që kur i dha fund në mënyrë të njëanshme një armëpushimi në mars, duke deklaruar se donte të zhdukte grupin militant nga Gaza dhe të çmontonte rrjetin e tij të tuneleve dhe objekteve të tjera.

Ai e izoloi territorin nga ushqimi, ilaçet dhe mallrat e tjera për më shumë se dy muaj dhe ka pushtuar e shpopulluar kryesisht zona të mëdha të Rripit të Gazës.

Fushata ushtarake e vazhdueshme e Izraelit në Rrip ka rezultuar në vdekjen e 67,000 palestinezëve, sipas shifrave të ndara nga ministria e shëndetësisë e Gazës e udhëhequr nga Hamasi, e cila nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në numrin e të vdekurve.

Netanyahu tha se informacioni që vinte nga Gaza ishte “propagandë”, duke deklaruar se raportet e mediave ndërkombëtare janë “shtrembëruar” ndërsa udhëheqësit e Evropës “u dorëzuan”.

“Evropa ka munguar sepse është dorëzuar para terrorizmit të Hamasit”, tha Netanyahu, duke deklaruar se numri i fundit i njohjeve të shtetit të Palestinës ishte “shpërblimi përfundimtar për Hamasin pas masakrës më të madhe kundër hebrenjve që nga Holokausti”.

“Shpresoj që Evropa të ndryshojë drejtimin e saj”, theksoi kryeministri izraelit. /Telegrafi/