Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i ka refuzuar propozimet për depërshkallëzim që i janë paraqitur nga ndërmjetësit, duke kërkuar që Izraeli e Shtetet e Bashkuara fillimisht “të rrëzohen në gjunjë”, tha të martën një zyrtar i lartë iranian.
Mojtaba Khamenei e ka mbajtur mbledhjen e tij të parë rreth politikës së jashtme që nga emërimi në pozitën e liderit suprem dhe ka marrë qëndrim “shumë të fortë dhe serioz” për hakmarrje kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, tha zyrtari iranian, pa shpjeguar nëse lideri mori pjesë në këtë mbledhje fizikisht apo nga largësia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtari i lartë, i cili kërkoi që të mbetej anonim, tha se dy shtete ndërmjetëse ia kishin paraqitur propozimet Ministrisë së Jashtme të Iranit për “uljen e tensioneve ose armëpushim me Shtetet e Bashkuara”. Zyrtari nuk dha hollësi të mëtejme rreth propozimeve ose ndërmjetësve.
Lideri suprem është përgjigjur duke thënë se “nuk është koha e duhur për paqe derisa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të rrëzohen në gjunjë, ta pranojnë disfatën dhe të paguajnë dëmshpërblim”.
Lideri suprem i Iranit e thotë fjalën e fundit në të gjitha çështjet shtetërore në Republikën Islamike. Asnjë fotografi e re e tij nuk është publikuar që nga dita e emërimit para më shumë se një jave nga një asamble klerikësh për ta zëvendësuar babanë e tij të vrarë, Ayatollah Ali Khamenei.
Disa zyrtarë iranianë kanë thënë se ai është lënduar lehtë nga sulmet që e lanë të vrarë babanë e tij. Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar se Khamenei ka pësuar lëndime të rënda.
Në porosinë e parë publike që nga dita kur u emërua lider suprem, Khamenei përmes televizionit shtetëror tha javën e kaluar se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e mbyllur si mjet presioni ndaj “armiqve të Iranit”.
Tri burime i thanë agjencisë “Reuters” të mërkurën se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i ka refuzuar përpjekjet e aleatëve nga Lindja e Mesme për të filluar bisedime diplomatike me qëllim të përfundimit të luftës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


