E mërkurë, 16 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeMocioni për “Thaçin dhe të tjerët”: Deliu: Një test serioz për gjykatën

Mocioni për “Thaçin dhe të tjerët”: Deliu: Një test serioz për gjykatën

Trupi gjykues në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së do të shpallë sot vendimin mbi mocionin e përbashkët të Mbrojtjes që kërkon rrëzimin e disa pjesëve të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra në një intervistë për Ekonomia Online kritikoi mungesën e mbështetjes nga Qeveria për këtë proces.
“Mbështetja është dashur të jetë shumë më e fuqishme, sidomos në lidhje me zhvillimet e fundit, të cilat i kemi parë dhe ndalja e mjeteve për këtë institucion nga Qeveria natyrisht ka qenë pengesë e madhe për një proces tejet të ndieshëm atje. Shpresoj që gjykata sot me vendimin e saj do ta mirëpresë propozimin e palës mbrojtëse. Është një test serioz për gjykatën dhe nëse ka drejtësi besoj që gjykata do ta pranojë propozimin e palës mbrojtëse për të dëshmuar edhe një herë objektivitetin e saj në një proces tejet të ndieshëm për Kosovën”, tha Deliu-Kodra.

Ajo vlerëson se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për procesin në Hagë ka qenë minimale.

“Disa herë kemi diskutuar lidhur me nevojën e mbështetjes së Qeverisë për këtë proces që po zhvillohet në Hagë. Është proces që lidhet me Republikën e Kosovës. Çfarëdo vendimi që do të ndërmerret atje nuk do të jetë vendim që do të jetë për një emër të përveçëm, por i përket të kaluarës e të ardhmes së Kosovës si dhe qytetarëve të saj. Mbështetja për procesin që po ndodh ka qenë minimale dhe natyrisht që fondet, të cilat janë ndërprerë për atë proces kanë qenë të ditura. Tashmë i kemi dëgjuar deklaratat dhe qëndrimet publike për këto fonde, të cilat janë ndaluar nga Qeveria”, shtoi ajo, transmeton Klankosova.tv.

Deliu shprehet optimiste se Gjykata do të marrë një vendim të drejtë, që do të reflektojë objektivitetin dhe do të sjellë drejtësi për çlirimtarët e Kosovës.
“Është një proces i rëndë, një proces që lidhet me të ardhmen e Kosovës. Natyrisht, duhet të ketë drejtësi dhe ne besojmë fuqishëm. Jam optimiste dhe besoj që do të jetë ngadhënjyes për çlirimtarët që po mbahen në Hagë”, tha Kodra -Deliu.

Seanca gjyqësorë në Hagë do të nisë sot në orën 9:00 dhe konsiderohet një moment kyç pas përfundimit të fazës së provave të Prokurorisë.

The post Mocioni për “Thaçin dhe të tjerët”: Deliu: Një test serioz për gjykatën appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT