Miradije Statovci: Do të jem zëri i shëndetësisë dhe drejtësisë sociale në Asamblenë e Prishtinës

Miradije Statovci: Do të jem zëri i shëndetësisë dhe drejtësisë sociale në Asamblenë e Prishtinës

Kandidatja për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga radhët e Guxo, Miradije Statovci, ka ndarë me qytetarët vizionin e saj për një kryeqytet më të drejtë, më të shëndetshëm dhe me më shumë mundësi për të gjithë.

Në një komunikim publik, ajo ka theksuar përkushtimin e saj ndaj shëndetësisë dhe shërbimit ndaj njerëzve, duke thënë se ky përvojë do ta udhëheqë edhe në punën e saj në Kuvendin Komunal.


“Kontributi im i gjatë në shëndetësi dhe përkushtimi ndaj njerëzve më japin forcë që edhe në Kuvendin Komunal të jem zëri i secilit prej jush. Ejani, bashkohuni me ne – së bashku po ndërtojmë një Prishtinë që e duam!”, ka deklaruar Statovci.

Ndërkohë, bartësja e listës Guxo për Prishtinën, Jeta Statovci, ka bërë të ditur se bashkë me Miradije Statovcin kanë zhvilluar takime me zejtarë dhe afaristë të ndryshëm në kryeqytet.

Ajo ka theksuar rëndësinë e krijimit të një qendre të zejtarisë pranë Tregut të Gjelbër, e cila do të ruante karakterin dhe trashëgiminë e qytetit, duke u shndërruar në një atraksion urban e turistik.

Po ashtu, është diskutuar edhe nevoja për investime në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, për të cilin tashmë ekziston marrëveshje për përgatitjen e projektit të rikonstruktimit, konservimit dhe modernizimit.

“Ky projekt do ta rikthejë Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në qendrën e kulturës, sportit dhe jetës publike të kryeqytetit”, ka deklaruar Jeta Statovci.