“Miqtë e Amerikës”, Rexhepi: Hap i guximshëm veprimi i kongresistit Brian Mast për Kosovën

Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, flet në Edicionin Special.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, e ka quajtur hap të guximshëm veprimin e kongresistit amerikan Brian Mast, i cili ka paraqitur për miratim në Kongresin Amerikan amendamentin për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Për Klan Kosovën, Rexhepi ka theksuar se veprimi i sotëm tregon për rritjen e angazhimit amerikan në Ballkan dhe është sinjal shprese për të ardhmen.

Sipas tij, pa SHBA-në dhe NATO-n, stabiliteti i Kosovës dhe rajonit vihet në pikëpyetje.

“Ishte një lajm bombastik për mediat tona dhe një zhvillim i jashtëzakonshëm për rajonin fakti që kongresisti republikan nga Florida, z. Brian Mast, paraqiti për miratim në Kongres një amendament të rëndësishëm, me të cilin kërkon që Shtetet e Bashkuara të rrisin angazhimin në Ballkan dhe të jenë më të qarta, më specifike dhe më të vendosura në politikën e tyre ndaj rajonit tonë.”

“Gjithashtu, ishte kënaqësi të lexohej në media se Organizata ‘Albanians for America’ ka pasur një rol në këtë proces. Edhe pse informacioni mbi ndikimin e drejtpërdrejtë të kësaj organizate mbetet ende për t’u verifikuar, unë nuk u befasova sepse prej vitesh kam apeluar që individët dhe organizatat tona lobuese në SHBA të rrisin angazhimin e tyre,” ka thënë Rexhepi.

I njëjti ka theksuar se është jetike që edhe organizatat e tjera shqiptare në SHBA, të cilat kanë lidhje të fuqishme me presidentin amerikan Donald Trump, me sekretarë, senatorë, kongresistë, me drejtues të agjencive të rëndësishme si CIA apo me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të veprojnë më fuqishëm me ide, propozime e kërkesa konkrete në të mirë të Kosovës. /KlanKosova.tv

The post “Miqtë e Amerikës”, Rexhepi: Hap i guximshëm veprimi i kongresistit Brian Mast për Kosovën appeared first on Klan Kosova.