E martë, 10 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeMinistrja franceze e Arsimit: Seriali “Adolescence” do të transmetohet në shkolla si...

Ministrja franceze e Arsimit: Seriali “Adolescence” do të transmetohet në shkolla si mjet edukimi

Pas nismës së kryeministrit britanik Keir Starmer për të transmetuar serialin “Adolescence” në shkollat e mesme, edhe Franca ka vendosur ta ndjekë këtë qasje edukative, shkruan Gazeta Sinjali.

Ministrja franceze e Arsimit, Élisabeth Borne, njoftoi se seriali do të shfaqet në shkollat e mesme dhe të larta, i shoqëruar me pesë sekuenca edukative për të rritur ndërgjegjësimin mbi dhunën në marrëdhënie dhe ndikimin negativ të rrjeteve sociale.

Mini-seriali katër episodësh trajton historinë e një babai që përballet me dyshimin se djali i tij 13-vjeçar ka vrarë një shok klase. Seriali ka nxitur debat të gjerë për fenomenin e “maskulinitetit toksik” dhe ndikimin e komuniteteve online ekstremiste.

Në Mbretërinë e Bashkuar, iniciativa u kritikua nga ish-kryeministri Boris Johnson, i cili e quajti serialin “të ndyrë” dhe shtoi se ai injoron nevojat arsimore të fëmijëve, duke përfshirë edhe akuza për trajtim të çështjeve racore. Krijuesi i serialit, Jack Thorne, reagoi duke theksuar se problemi nuk lidhet me racën, por me formësimin e dëmshëm të identitetit mashkullor.

Vendimi i Francës u ndikua edhe nga një peticion i nisur nga një nënë e shqetësuar, si dhe nga një incident i rëndë në një lice në Nantes, ku një 16-vjeçar vrau një nxënës dhe plagosi tre të tjerë. Ministrja Borne shprehu ngushëllime për viktimat dhe vlerësoi ndërhyrjen e stafit të shkollës, ndërsa ministri i Brendshëm e cilësoi ngjarjen si një alarm për gjithë shoqërinë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT