Ministrja e Jashtme finlandeze vizitë në Kosovë e Serbi

Ministrja e Jashtme finlandeze vizitë në Kosovë e Serbi

Ministrja finlandeze e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen, të hënën ka arritur në Kosovë ndërkaq me 16 shtator do të shkojë edhe në Serbi për të forcuar partneritetin e OSBE-së me rajonin.

Gjatë vizitës së saj, Valtonen do të takohet me zyrtarë të nivelit të lartë, anëtarë të personelit të operacionit në terren të OSBE-së dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.


Ministrja do të takohet gjithashtu me përfituesit e Qendrës për Integrimin e të Rinjve në Beograd, si dhe me përfaqësuesit e Rrjetit të Alumnëve të Akademisë së Dialogut të OSBE-së në Prishtinë.

“Është vërtet frymëzuese të shohësh se si OSBE-ja dhe operacionet e saj në terren nxisin ndryshime pozitive në rajon. Personeli i operacioneve në terren angazhohet në bashkëpunim të vlefshëm rajonal në fusha kyçe si angazhimi i të rinjve, njohuritë mediatike dhe gazetaria. Projektet e përbashkëta janë thelbësore për zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për promovimin e paqes dhe sigurisë”, ka thënë Valtonen.

Valtonen thekson se si kryetare e OSBE-së, Finlanda do të forcojë punën e organizatës në Evropën Juglindore mbi bazën e parimeve të dakordësuara bashkërisht.

“Në këtë rol, Finlanda në mënyrë sistematike tërheq vëmendjen te parimet e Aktit Final të Helsinkit, të cilat kanë qenë në fuqi që nga viti 1975. Ky vit shënon 50-vjetorin e miratimit të Aktit Final të Helsinkit”.