Radosław Sikorski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm polak, i ka paraqitur parlamentit britanik dronin e tipit Shahed të prodhuar në Iran, të cilin Rusia e përdor në luftën e saj kundër Ukrainës.
Sikorski po i drejtohej parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar në një aktivitet të Organizatës së Bashkuar Kundër Iranit Bërthamor (UANI), ku u shfaq një dron Shahed-136 i prodhuar në Iran.
“Sot në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, paraqita dronin iranian Shahed-136, të cilin Rusia e përdor kundër Ukrainës”, tha Sikorski, transmeton Telegrafi.
Ai gjithashtu theksoi se Kremlini përdor dronë të tillë për të terrorizuar ukrainasit, dhe ka përdorur dronë mashtrues për të shkelur hapësirën ajrore polake.
“Droni nuk mund të arrijë në Londër, por një flotë me skrap metali mund të shkatërrojë infrastrukturën kritike. Vetëm së bashku mund të triumfojmë”, shtoi politikani polak. /Telegrafi/