Ministri gjerman i Shtetit për Evropë dhe Punët e Jashtme Gunther Kirchbaum, është takuar të marten në Berlin me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Kirchbaum pas takimit me Sorensenin, ka deklaruar se Qeveria gjermane e mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Ai tha se përgëzon Sorensenin për përpjekjet e Sorensenit në dialog.
Ministri gjerman i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura pa vonesë të mëtejshme, të përmbahen nga çdo deklaratë ose veprim përshkallëzues.
“I nxis të dyja vendet të rifillojnë angazhimin e tyre të plotë në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt, edhe për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe një moderim kritik në deklaratat publike në dijeni të mandateve të tyre përkatëse. Gjermania është e gatshme të mbështesë të dyja vendet në avancimin e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”, deklaroi ai transmeton Klankosova.tv.
Tutje në deklarimin e ministri gjerman thuhet:
“Ne e shohim të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor këtu. Dialogu dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një shtyllë e një Bashkimi Evropian të fortë. Në këtë frymë, ne vazhdojmë të monitorojmë nga afër arrestimin e fundit të Ndihmës Drejtorit të Serbisë Igor Popoviq në Kosovë. Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale”, deklaroi ai.
Nuk u la pa u përmendur as arrestimi nga Serbia i ish-pjesëtarit të policisë së Kosovës Arbnor Spahiu.
Ai tha se ky rast po monitorohet nga afër.
“Gjithashtu, po e monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e duhur të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për Drejtësinë që thotë se procedurat penale për veprat penale në Kosovë duhet të zhvillohen në parim në Kosovë”, tha ai transmeton Klankosova.tv.
“U kujtoj të gjithë aktorëve të përfshirë, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, se respektimi i standardeve dhe vlerave themelore evropiane, në veçanti sundimi i ligjit, është jetik për procesin e pranimit në BE”.
The post Ministri gjerman: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, thelbësor për Ballkanin Perëndimor appeared first on Klan Kosova.