Miliarderi Andrej Babis fiton zgjedhet parlamentare në Çeki

Miliarderi Andrej Babis fiton zgjedhet parlamentare në Çeki

Miliarderi Andrej Babis dhe lëvizja e tij ANO (PO) kanë fituar zgjedhjet parlamentare të Çekisë me 35.5% të votave.

Me rreth 98% të votave të numëruara, ANO dukej e gatshme të merrte pushtetin nga koalicioni pro-perëndimor i kryeministrit Petr Fiala, i cili fitoi rreth 23.0% të votave këtë vit.


Forca kryesore anti-migrante, partia Liri dhe Demokraci e Drejtpërdrejtë, mori 8.3%, ndërsa një grup i krahut të djathtë që e quan veten partia Shoferët për Veten mori 7.1%.

Të dy janë partnerë potencialë për Babisin, i cili me 86 vende do të ketë nevojë për mbështetjen e një partie tjetër për të formuar një koalicion.

Ai ka përjashtuar bashkëpunimin me pesë partitë e tjera që ishin në qeveri pas zgjedhjeve të vitit 2021, në të cilat ai humbi.

Babis tha se ishte “i lumtur” gjatë një festimi në selinë e tij, i cili u shoqërua me duartrokitje të forta nga mbështetësit e tij.

Me fitoren, Babis do t’i bashkohej radhëve të kryeministrave Viktor Orban të Hungarisë dhe Robert Fico të Sllovakisë, vendet e të cilëve kanë refuzuar t’i ofrojnë ndihmë ushtarake Ukrainës, vazhdojnë të importojnë naftë ruse dhe kundërshtojnë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Ndryshe, Republika Çeke ka qenë një mbështetëse e fortë e Ukrainës. Vendi ka dhuruar armë, përfshirë armatim të rëndë.

Por, Babis e ka vënë në pikëpyetje një mbështetje të tillë dhe gjithashtu ka refuzuar të mbështesë plotësisht një angazhim të NATO-s për të rritur ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes.

Vitin e kaluar, ai bashkoi forcat me Orban për të krijuar grupin “Patriotët për Evropën” në Parlamentin Evropian, një aleancë që përfaqëson grupet e ekstremit të djathtë.

Partitë janë të bashkuara nga një qëndrim kritik ndaj politikave të BE-së që merren me ndryshimet klimatike, retorikën anti-migrante dhe mbrojtjen e sovranitetit kombëtar. /Telegrafi/