Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, zbulon se Rossonerët dhe Interi synojnë të luajnë ndeshjen e tyre të parë në stadiumin e tyre të ri në vitin 2030.
Milanit dhe Interit i është dhënë drita jeshile për të blerë zonën e San Siros, përfshirë stadiumin Giuseppe Meazza, kështu që tani po përgatisin një projekt për stadiumin e tyre të ri në pronësi të përbashkët.
“Qëllimi është të finalizojmë aktin e shitjes deri në tetor dhe në atë pikë do të bëjmë pagesën e parë prej 73 milionë eurosh”, ka thënë fillimisjt Scaroni për Milano Finanza.
“Nga ai moment, faza e detajuar e projektimit të stadiumit të ri mund të fillojë. Një projekt që ia kemi besuar tashmë Norman + Partners dhe MANICA, dy liderë në këtë fushë. Për ta parë projektin e plotë, do të duhen midis gjashtë dhe tetë muajsh”.
Raportet në Itali kanë pohuar se klubet synojnë të debutojnë në stadiumin e tyre të ri në vitin 2031, por Scaroni vendosi një afat tjetër, ndërsa konfirmoi se punimet do të fillojnë në vitin 2027.
“Absolutisht, përveç pengesave të vogla, të cilat mund të ndodhin gjithmonë në një projekt të kësaj shkalle, qëllimi është që stadiumi të përfundojë deri në vitin 2030”.
Kjo do të thotë që sezoni i parë i Milanit dhe Interit në stadiumin e tyre të ri do të jetë 2030-31.
“Idealisht, po. Në këtë mënyrë, ne mund të përfundojmë testimet e nevojshme dhe ta sjellim impiantin në efikasitet të plotë në kohë për Kampionatin Evropian 2032, ku do të luajë një rol të madh”, përfundoi Scaroni.
Milani dhe Interi e kanë ndarë stadiumin ikonik Stadio Meazza që nga sezoni 1947-48. Stadiumi u përurua në vitin 1926 me një ndeshje midis dy skuadrave milaneze, dhe Nerazzurrët fituan atë 6-3. /Telegrafi/