Drejtori i Institutit për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj ka thënë se Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet për të marrë vendime, sikurse bëri në mbledhjen e së martës për ndarjen e nga 100 euro për secilin studentë. Megjithkëtë, ai tha se edhe nëse qeveria do të ushtronte kompetencat e plota, atëhere do të duhej të bënte një analizë, pasi që ka studentë që janë edhe milionera.
Por gjithë këtë nguti për një vendim të tillë, Miftaraj po e konsideron të jetë bërë për cështje votash, meqenëse këtë të diele të 12 tetorit do të mbahen zgjedhjet lokale.
“E para, ky vendim i ka në radhë të parë disa probleme qoftë në kuptim të legjitimitetit, qoftë në kuptim të legalitetit. Kemi të bëjmë me një qeveri që, në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, nuk ka më mandat të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e saj deri në kohën sa shumica e ministrave janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Ai në një intervistë për EO e ka shpjeguar pse ky vendim bie ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, situata e tanishme paraqet një konflikt të interesit dhe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.
“Gjykata Supreme ka konstatuar se mbajtja e dy pozitave si deputet, si ministër, apo si kryeministër në detyrë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligj,” shtoi ai.
Miftaraj ka rikthyer në vëmendje deklarimet e Vetëvendosjes e cila i kritikonte qeveritë e mëhershme për veprimet që merreshin në kohë fushate.
“Nëse marrim për bazë deklarimet e Vetëvendosjes në të kaluarën, kur qeveritë e mëhershme kishin vepruar njësoj, ata e kishin konsideruar si një formë korrupsioni përmes së cilës bëhen përpjekje për të blerë votat e qytetarëve. Kështu që mund të konkludojmë se kemi të bëjmë me një vendim popullist, me karakter elektoral,” deklaroi ai.
Miftaraj shtoi se vendimi nuk bazohet në një analizë reale të nevojave të studentëve.
“Nëse do të kishim një analizë më të mirë dhe një qeveri me legalitet të plotë, atëherë mjetet do të ndaheshin për ata studentë që janë në kushte të rënda ekonomike, e jo në mënyrë të njëtrajtshme për të gjithë. Ka studentë që janë në gjendje të mirë financiare, madje edhe milionerë, të cilët nuk kanë nevojë për këto mjete…Për ata që janë në gjendje të rëndë ekonomike, mund të jetë një lehtësim për disa ditë apo javë, por nuk e zgjidh problemin. Ndërsa për ata që kanë mirëqenie, janë vetëm 100 euro shtesë që mund t’i shpenzojnë sipas dëshirës. Nëse këto mjete do të investoheshin në konvikte, në programe arsimore apo fusha të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit, do të kishim një efekt të qëndrueshëm. Por ndarja e 100 eurove për të gjithë studentët është vetëm një zgjidhje e përkohshme”, deklaroi Miftaraj, transmeton Klankosova.tv.
Miftaraj e thekson se ky vendim është për blerje votash.
“Një qeveri që mendon afatgjatë për mirëqenien e qytetarëve merr vendime që rregullojnë probleme në mënyrë të qëndrueshme. Vendime të tilla, ku shpenzohen miliona euro pak para zgjedhjeve, janë më shumë për blerje votash sesa përmirësim real të gjendjes ekonomike,” përfundoi ai.
Kjo nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës ndan nga 100 euro për studentët. Masa e ngjashme ishte zbatuar edhe në vitin 2022, kur ekzekutivi kishte ndarë subvencione të njëjta për studentët, punëtorët dhe pensionistët, si pjesë e pakos për përballimin e krizës ekonomike.
The post Miftaraj për ndarjen e 100 eurove për studentët: Blerje votash, ka studentë që janë milionerë appeared first on Klan Kosova.