Microsoft prezanton bibliotekën e re të përbashkët të video-lojërave në Xbox për kompjuter

Microsoft prezanton bibliotekën e re të përbashkët të video-lojërave në Xbox për kompjuter

Microsoft prezanton një bibliotekë të re të përbashkët të video-lojërave brenda aplikacionit Xbox për PC në Windows.

Aplikacioni i përditësuar tani do të shfaqë video-lojërat nga Steam, Battle.net dhe dyqane të tjera për PC, duke e kthyer atë në një lëshues për të gjitha lojërat që përdoruesit kanë të instaluara në kompjuterët e tyre.


Microsoft e ka testuar këtë bibliotekë të përbashkët gjatë muajve të fundit me Xbox Insider-at, por tani ajo është e disponueshme për të gjithë përdoruesit e aplikacionit Xbox në PC.

Ajo është dizajnuar kryesisht për përvojën e re të Xbox-it në ekran të plotë, që do të jetë e disponueshme në pajisjet Xbox Ally, por është gjithashtu pjesë e përpjekjeve të Microsoft për ta bërë aplikacionin Xbox në Windows si shtëpinë e lojërave për PC.

“Kur instaloni një lojë nga një dyqan i mbështetur për PC, ajo shfaqet automatikisht në seksionin ‘My Library’ (Biblioteka Ime) brenda aplikacionit Xbox për PC, si dhe në listën ‘Most Recent’ (Më të Fundit) në panelin anësor, në mënyrë që të ktheheni te lojërat tuaja të preferuara me vetëm një klikim”, shpjegoi Jason Beaumont, nënkryetar për përvojën në Xbox.

Së bashku me integrimin e bibliotekës, Microsoft po prezanton gjithashtu një seksion të ri “My Apps” (Aplikacionet e Mia) në aplikacionin Xbox për PC, i cili u lejon lojtarëve në PC të instalojnë dhe të hapin shpejt aplikacione të palëve të treta si shfletues, mjete të lojërave dhe dyqane konkurrente. Kjo veçori e re është gjithashtu dizajnuar kryesisht për pajisje dore, për të ndihmuar përdoruesit të shkarkojnë dhe nisin lojëra nga dyqane të ndryshme.

Më vonë këtë muaj, Microsoft do të shtojë gjithashtu lojëra që mund të luhen në cloud (në re) dhe historikun e video-lojërave në aplikacionin Xbox, i cili sinkronizon listën e video-lojërave të fundit të luajtura në konzolën Xbox, në kompjuter apo pajisje dore. Microsoft tashmë ka filluar ta sjellë këtë funksion në konzolat Xbox muajin e kaluar.

“Pasi kjo veçori të lëshohet, kërkoni listën ‘Jump back in’ (Kthehu sërish) në faqen kryesore të konzolës suaj, kompjuterit ose pajisjes dore për të gjetur historikun tuaj të fundit të lojës dhe për të vazhduar aty ku keni mbetur”, tha Beaumont. /Telegrafi/