Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e VLEN-it, Izet Mexhiti, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për zgjedhjet lokale, vizionin e tij për Çairin, si dhe VLEN-in.
Mexhiti tha se do ta respektojë vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet lokale dhe do të pranojë çdo rezultat.
Mexhiti: Unë veçse e kam nisur punën si kryetar komune në Çair Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: …
“Nuk i iki përgjegjësisë politike, por të ishte ashtu do të kisha nominuar kandidat tjetër për Çairin. Qytetarët do ta thonë fjalën e tyre dhe atë do ta respektojmë”, tha Mexhiti.
Sa i përket listës për këshilltarë të VLEN-it në Çair, ai tha se ajo përbëhet nga njerëz profesionistë dhe të dëshmuar.
“Lista jonë është me profesionistë dhe njerëz të dëshmuar, në krye të listës kemi Muhamed Murtezin, i cili për herë të parë është në politik. Kësaj radhe ai nuk ka veshur veshje partiake, por do të jetë në shërbim të qytetarëve. Administrata do të jetë me njerëz profesionistë”, tha Mexhiti.
Kurse në lidhje me administratën, Mexhiti tha se nuk do të veprojë politikisht me të punësuarit në komunë.
“Duhet ta pranojmë që është demokratizuar skena politike, po hyjmë në fund të fushatës zgjedhore të raundit të parë. Tani shqiptarët nuk kanë ka 7-8 kandidatë, është faktorizuar vota shqiptare dhe deri tani nuk ka asnjë incident, pra ne nuk i keqpërdorim institucionet. I vetmi vend ku bëhen presione janë ndërmarrjet në Qytetin e Shkupit, të cilëve u bëhen presione të shkojnë nëpër tubime. Asnjë punëtor nuk do të preket, vetëm të mos bien pre e presioneve, por le të votojnë atë që mendojnë se është më i miri”, tha Mexhiti.
Sa i përket 100 ditëve të para të mandatit, ai tha se tashmë ka filluar të punojë për Çairin.
“100 ditët e para të mija i kam bërë para se të zgjidhem. Çairi është kantier ndërtimi. Në këto ditë është punuar për Çairin sa nuk është punuar për 50 vite”, tha Mexhiti.
“Kemi projekte konkrete, me afate të realizimit. Duke filluar nga çështje infrastruktura nëntokësore. Do të jemi komuna e parë që brenda tre viteve të para do ta mbyllim tërësisht çështjen e infrastrukturës nëntokësore dhe kjo do të jetë histori. Do të ketë dy çerdhe të reja. Sa i përket shkollave fillore, do të ketë tre shkolla të reja, ndërsa gjithsej do të bëhen 11 shkolla, prej të cilave njëra do të jetë për fëmijët me nevoja të veçanta”.
“Do ta realizojmë mësimin me qëndrim gjithëditor. Ndërsa në arsimin universitar, Çairi është bërë qytet studentësh. Para tre ditëve filloi kampusit të universitetit “Nënë Tereza” me vlerë 40 milionë euro. Sa i përket higjienës komunale, të gjithë kontejnerët do të jenë nëntokësor. Ndërsa premtojmë 3 mijë deri 5 mijë vendparkingje të reja”, tha Mexhiti.
Ai gjithashtu premtoi se do ta zgjidhë çështjen e kaosit në komunikacion, ndërsa foli edhe për Çarshinë e Vjetër.
“Bëjmë maksimumin pas 25 milionë euro kemi ndarë për Çarshinë e Vjetër për të zgjidhur problemin kryesor, që është me parkingjet. Para pesë viteve Çarshia u shndërrua në muze, pasi pas orës 17 nuk kishte asnjë njeri. Ndërsa tani Çarshia është gjallëruar dhe ka më shumë turistë. Sot ajo i ngjan Taksimit dhe shesheve të qyteteve të mëdha evropiane”, tha Mexhiti.
Ai tha se Qeveria e tanishme si asnjëra më parë ka mbështetur komunat për realizimin e projekteve. /Telegrafi/