Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se po mbahet peng dhe se është syrgjynosur për qëllime politike.
Komentet Meta i bëri përmes një letre për emisionin ‘Debat’ në A2 CNN, ku tha se i ashtuquajturi “Trekëndëshi i Nevadës”, Mckonigal-Rama-Dumani, po interesohet për asgjësimin e tij politik.
Ai shtoi se po takohej vetëm një herë në javë me familjarët e tij si të gjithë të paraburgosurit e tjerë dhe se nuk kishte asnjë ankesë në këtë drejtim.
“A kanë qenë të vështira kontaktet me familjarët dhe bashkëpunëtorët në PL?”, ka qenë pyetja drejtuar Metës.
“Unë takohem vetëm një herë në javë me familjarët e mi si të gjithë të paraburgosurit e tjerë dhe s’kam asnjë ankesë në këtë drejtim”.
“Por sigurisht që unë jam rrëmbyer këtu për të mu pamundësuar ekstremisht mundësia e takimeve apo komunikimeve me bashkëpunëtorët e mi dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e Partisë së Lirisë”.
“Po kështu për të mu pamundësuar edhe komunikimi i drejtpërdrejtë me ju dhe të gjithë gazetarët, analistët dhe qytetarët”.
“Unë jam “syrgjynosur” këtu për të mu pamundësuar jo vetëm mbrojtja në publik ndaj të gjitha pseudo-akuzave, por mbi të gjitha për të shpalosur programin e mrekullueshëm dhe konkret të Partisë së Lirisë të 5 prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus”.
“Unë jam duke u mbajtur peng këtu sepse “Trekëndëshi i Nevadës”, Mckonigal-Rama-Dumani, duan të asgjësojnë totalisht bashkë me pluralizmin politik edhe sovranitetin e popullit shqiptar dhe çdo interes kombëtar të tij duke sorosifikuar çdo institucion të Shtetit dhe çdo qelizë të shoqërisë, përfshirë edhe shpërbërjen e familjes”, është shprehur Meta, shkruan A2 CNN.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>