Në trenin e kohës, ku vetëm të zgjedhurit arrijnë të lënë gjurmë, ekziston një vagon që shumë pak futbollistë e prekin: “Pasagjeri i vagonit 394”. Aty udhëtojnë vetëm ata që kanë shënuar 394 gola para se të mbushin 27 vjeç — një arritje që deri më tani e kanë përbashkët vetëm Lionel Messi dhe Kylian Mbappe.
Messi ishte i pari që e arriti këtë rekord. Në vitin 2014, në moshën 27-vjeçare, argjentinasi kishte shënuar 394 gola në 513 ndeshje, me një mesatare të pabesueshme prej 0.78 golash për ndeshje. Ai tashmë kishte transformuar futbollin: Pesë Topa të Artë, katër Liga të Kampionëve dhe një ndikim që e ndryshoi historinë e lojës.
Njëmbëdhjetë vjet më vonë, trashëgimtari i tij francez, Kylian Mbappe, ka mbërritur në të njëjtën pikë magjike. Fëmija që u rrit me posterat e Cristiano Ronaldos në murin e dhomës së tij, tani është bërë vetë një ikonë.
Mbappe dhe Messi
Me 394 gola në 530 ndeshje, Mbappe ka arritur të barazojë shifrat e Messit — dhe deri më 20 dhjetor, ai ka edhe 12 ndeshje për të kaluar “magjinë” e argjentinasit.
Në një epokë ku futbolli përshpejton gjithçka, ku talentet shpërthejnë që në adoleshencë, të arrish këto shifra është diçka e jashtëzakonshme.
Sot, 16 e 17-vjeçarë si Lamine Yamal kanë mbi 100 ndeshje profesionale, por vetëm pak arrijnë të ruajnë shkëlqimin me kalimin e kohës. Dhe aty qëndron madhështia e këtyre dy emrave — qëndrueshmëria dhe përjetësia e klasit.
Në krahasim, Cristiano Ronaldo, në të njëjtën moshë kishte “vetëm” 213 gola. Por si vera që përmirësohet me vitet, portugezi nuk ndaloi kurrë. Sot ai numëron 946 gola, duke qenë golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit profesional.
“Të gjithë më thonë: ‘Ndalu, i ke arritur të gjitha.’ Por unë ende ndjej se mund të jap diçka më shumë. Pse të mos arrij 1000 gola?”, ka rrëfyer Ronaldo.
Me golin e fundit për Francën, Mbappe ka shënuar në 10 ndeshje radhazi, duke iu afruar një tjetër rekordi të Messit — 21 ndeshje radhazi me gol, gjatë periudhës së tij magjike te Barcelona.
Kyilian Mbappe, kapiten i Francës
Dhe ironia e bukur e fatit: për ta thyer këtë rekord, Mbappe duhet të shënojë pikërisht në 12 ndeshje radhazi, të njëjtin numër që e ndan nga ditëlindja e tij e 27-të.
Sot, të dy udhëtojnë në të njëjtin “vagon rekordesh” — njëri, Messi, që e përshkroi rrugën me mrekulli; tjetri, Mbappe, që po e ndjek me hapin e yjeve. Dhe në fund, ndoshta historia do të mbetet e njëjtë: futbolli ka dy pasagjerë të përjetshëm në vagonin 394. /Telegrafi/