Mësohen prapaskenat: Raheem Sterling e refuzoi Bayern Munichun gjatë verës

Mësohen prapaskenat: Raheem Sterling e refuzoi Bayern Munichun gjatë verës

Sipas The Athletic, Bayern Munich bëri një përpjekje të vonshme gjatë merkatos së verës për të transferuar Raheem Sterling, por sulmuesi anglez refuzoi ofertën, duke zgjedhur të qëndrojë në Londër për arsye familjare.

Lëvizja u shty nga trajneri i Bayernit, Vincent Kompany, i cili dëshironte të ribashkohej me ish-shokun e tij të skuadrës te Manchester City.


Megjithatë, 33-vjeçari nuk pranoi, duke vënë përparësi stabilitetin e partneres dhe fëmijëve të tij, të cilët tashmë janë të vendosur në Londër.

Një aventurë 9-mujore në Gjermani, pa garanci për minuta të rregullta, nuk e bindi Sterlingun. Si pasojë, ai ka mbetur “i ngrirë” te Chelsea, i përfshirë në të ashtuquajturin “skuadra e bombës” – grupi i lojtarëve të padëshiruar, të përjashtuar nga planet e trajnerit Enzo Maresca.

Raheem Sterling

Së bashku me mbrojtësin Axel Disasi dhe të tjerë, Sterling po stërvitet i veçuar në qendrën stërvitore të Cobhamit, pa një rrugë të qartë drejt ekipit të parë deri në janar, kur merkatoja e dimrit mund t’i ofrojë një mundësi largimi.

Edhe pse pati interes nga disa klube londineze për një huazim, asnjë marrëveshje nuk u finalizua për shkak të kontratës së majme të Sterlingut, që zgjat deri në vitin 2027 dhe i siguron atij rreth 30 milionë funte në total. As lojtari, as Chelsea nuk duket të jenë të gatshëm të bëjnë kompromis financiar, duke e lënë situatën në ngërç.

Për momentin, ish-ylli i Manchester City dhe Liverpool do të kalojë katër muajt e ardhshëm jashtë skuadrës së parë, në pritje të një mundësie të re për të ringjallur karrierën./Telegrafi/