Për herë të parë, Kosova mori pjesë në studimin ndërkombëtar TALIS 2024 të OECD-së, duke nxjerrë në pah sfida dhe përparësi të sistemit arsimor.
Nga 3 mijë e 500 mësimdhënës dhe drejtorë të përfshirë, 97% kanë marrë pjesë në zhvillim profesional, por vetëm 28% kanë ndjekur trajnime për përdorimin e teknologjisë digjitale dhe 22% për mësimdhënie inkluzive.
Një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve (44%) ndihen të lodhur emocionalisht pas punës, ndërsa vetëm 42% thonë se do të zgjidhnin sërish këtë profesion, thuhet në hulumtim.
Në këtë drejtim, raporti vëren se “pjesëmarrja e lartë në trajnime nuk shoqërohet gjithmonë me përgatitje të mjaftueshme për sfidat e arsimit modern”, transmeton Klankosova.tv.
Drejtorët në Kosovë janë shumë të përfshirë në menaxhimin e mësimdhënies, me 96% që raportojnë se marrin pjesë drejtpërdrejt në aktivitetet e mësimdhënies, por vetëm 48% janë të angazhuar në planifikim strategjik.
Sipas raportit, kjo tregon se “roli i drejtuesve në planifikimin afatgjatë mund të forcohet më tej”.
Mësimdhënësit dhe drejtuesit shprehin një nevojë të madhe për mbështetje shtesë.
Raporti nënvizon se “92% e mësimdhënësve në Kosovë kanë shprehur nevojë për zhvillim profesional, veçanërisht në përdorimin e teknologjisë, mësimdhënien inkluzive dhe vlerësimin e nxënësve”./Klankosova.tv
The post Mësimdhënësit kosovarë kërkojnë më shumë mbështetje dhe trajnime appeared first on Klan Kosova.