Merkel: BE-ja duhet të jetë më e fortë për të mbijetuar në botën e Rusisë, Kinës dhe Trumpit

Merkel: BE-ja duhet të jetë më e fortë për të mbijetuar në botën e Rusisë, Kinës dhe Trumpit

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri thirrje që Bashkimi Evropian të bashkohet përballë luftërave dhe krizave, si dhe përballë politikave proteksioniste të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe u shpreh në favor të reformimit të bllokut me 27 anëtarë, raporton agjencia gjermane dpa.

Ish-udhëheqësja e Unionit Kristian-Demokrat (CDU) foli në një simpozium të Fondacionit Konrad Adenauer (KAS), i lidhur me CDU-në, për Traktatin e Lisbonës të BE-së.


Duke vështruar vështirësitë gjeopolitike me të cilat përballet Evropa në raport me Rusinë, “me ide të ndryshme të miqve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, apo në raport me Kinën, Merkel tha se mendon për atë që “çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian (vetë, i vetëm) mund të arrijë” në këto çështje.

“Të gjithë ne, edhe Gjermania që është ekonomikisht më e madhja, jemi tërësisht të vetëm në një fushë të hapur”, shtoi ajo në ngjarjen e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të lindjes së ish-presidentit të Parlamentit Evropian dhe më pas udhëheqësit të KAS-it, Hans-Gert Pöttering.

“Prandaj Evropa është bërë më e rëndësishme sesa mendohet”, tha ish-udhëheqësja gjermane.

Merkel theksoi gjithashtu se një mangësi e Traktatit të Lisbonës është se për të bërë ndryshime më të mëdha duhet të thirret një Konventë Evropiane.

“Duhet të jemi të kujdesshëm si Bashkim Evropian që të mos ia pamundësojmë vetes veprimin”, paralajmëroi ajo.

Merkel gjithashtu kritikoi faktin që, ndonëse Parlamenti Evropian mund të rrëzojë Komisionin Evropian përmes një votimi mosbesimi, ndryshe nga parlamentet kombëtare, nuk ka domosdoshmëri që të shpallen zgjedhje të reja.

“Të largosh dikë nga detyra, pa mbajtur vetë përgjegjësi për këtë, mendoj se përbën një pabarazi”, tha ajo.

Traktati i Lisbonës u miratua në tetor të vitit 2007, kur president i Parlamentit Evropian ishte Pottering.

Pasi u ratifikua nga të gjitha 27 shtetet anëtare, ai hyri në fuqi më 1 dhjetor 2009. /Telegrafi/