Sipas një studimi të ri menopauza ndërlidhet me ndryshime në tru që janë të ngjashme me Alzheimerin, ka raportuar BBC.
Humbja e masës ngjyrë hiri që njihet si masa gri, në pjesë të trurit që janë të lidhura me kujtesën dhe emocionet mund të shpjegojë pjesërisht se përse gratë janë përgjithësisht më të rrezikuara për demencë sesa burrat, kanë deklaruar studiuesit.
Gjetjet vijnë nga 125 mijë gra, nga të cilat 11 mijë i janë nënshtruar MRI-së, skanimit të trurit.
Në studimin e publikuar në Psychological Medicine, përdorimi i terapisë me zëvendësim hormonesh (HRT) nuk dha rezultat në parandalimin e humbjes së masës gri në tru.
Profesoresha nga Universiteti i Oxfordit, Barbara Sahakian, autore kryesore e studimit ka thënë se disa pjesë të trurit, ku kanë parë ndryshime, janë ato që shpesh preken nga sëmundja e Alzhimerit.
“Menopauza mund t’i rrezikojë këto gra më shumë me kalimin e kohës. Kjo mund të shpjegojë se përse shohim më shumë gra me demencë se sa burra”, ka thënë ajo.
Ndryshimet në tru ndodhnin në pjesën që luan rol shumë të rëndësishëm në mësim e kujtesë, pjesën që luan rol në formimin e kujtimeve dhe vendimmarrjes dhe pjesën që ndihmon me vëmendjen dhe rregullimin e emocioneve.
Masa e bardhë e trurit si dhe ajo gri, janë pjesë thelbësore të trurit dhe shtyllës kurrizore.
-Masa gri përbëhet nga qelizat neurologjike që komunikojnë me neuronet që i kanë afër.
-Masa e bardhë përbëhet nga neurone që transmetojnë impulse nëpër regjione më të largëta të trurit dhe shtyllës kurrizore.
Kërkimi i ndihmës
Sipas udhëzimeve të Shërbimit Shëndetësor Britanik (NHS), HRT-ja mund të konsiderohet e mirë për problemet e menopauzës të tilla si problemet me gjumin dhe valët e nxehtësisë trupore.
Sipas studiuesve ende nuk është e qartë se çfarë efektesh ka menopauza dhe HRT-ja në tru, kujtesë e disponim.
Studimi ka gjetur se gratë që përdornin HRT ishin më të rrezikuara nga shëndeti i dobët mendor. Por ka disa nga to që tashmë kanë pasur shëndet të dobët mendor para se të fillonin terapinë me ilaçe.
Doktoresha Christelle Langley, e cila është pjesë e grupit të studiuesve, ka thënë se ishte e rëndësishme të njihen llojet e vështirësive që vijnë me menopauzën.
“Të gjithë duhet të jemi më të ndjeshëm, jo vetëm ndaj shëndetit fizik të grave por edhe atij mendor përgjatë menopauzeës. Nuk duhet të ketë turp askush që t’ju tregojë të tjerëve se nëpër çka po kalon e të kërkojë ndihmë”, ka thënë ajo.
Michelle Dyson nga Alzheimer’s Society ka thënë se gratë përbëjnë dy të tretat e personave që jetojnë më Alzheimer në Britani.
“Ndërkohë që ende nuk e kuptojmë plotësisht pse gratë janë më të ndjeshme nga kjo sesa burrat, mendohet se hormonet luajnë rol në këtë. Ky studim i madh shton prova që tregojnë se si menopauza ndikon në tru, përfshirë ndryshimet fizike të tilla si humbja e volumit të trurit”, ka thënë ajo.
Por, sipas saj, pa pjesëmarrje afatgjate për të mbikëqyrur nëse më vonë zhvillojnë demencë, studiuesit nuk mund të jenë të sigurt se këto ndryshime në tru që janë të lidhura me menopauzën gjithashtu ndikojnë në rrezik për demencë.
Ajo ka thënë se ushtrimet e rregullta, moskonsumimi i duhanit e alkoolit mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut nga demenca.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


