Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, mbrëmë mori pjesë në tubimin madhështor në Drenas, ku u hap zyrtarisht fushata zgjedhore dhe u dha mbështetja e fuqishme për kandidatin e PDK-së për kryetar të kësaj komune, Petrit Hajdari.
Në një atmosferë entuziaste dhe përplot energji, Krasniqi theksoi se zgjedhjet e 12 tetorit do të jenë një fitore e qartë për PDK-në dhe Petrit Hajdarin.
“Drenas, më 12 tetor nuk ka balotazh. Ka vetëm fitore. Bindëse. Të madhe. Të pakontestueshme. PDK është numri 191. PDK është Petrit Hajdari. Sepse ka vetëm një Parti Demokratike të Kosovës – partia e Hashim Thaçit, e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit. Partia e Petrit Hajdarit, e juve të gjithëve. Partia e Drenasit, e Drenicës, e Kosovës. Është partia e lirisë. Partia e arritjeve të mëdha. Partia e fitoreve të përhershme në Drenas. Dhe me 12 tetor, e kryni punën sepse kemi punë të tjera për balotazh. Në Drenas, balotazhi do të harrohet përgjithmonë”, deklaroi Krasniqi.
Ai vlerësoi lart kandidaturën e Petrit Hajdarit, duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për të udhëhequr Drenasin me vizion dhe integritet.
“Sot, Partia Demokratike e Kosovës vjen para jush me një njeri të provuar, me një bir tuajin që gjithmonë e keni mbështetur fuqishëm – Petrit Hajdarin. Petriti është rritur në gjirin e PDK-së. Është rritur me besën e kësaj partie dhe me mbështetjen tuaj në çdo garë. Ai ka jetuar me hallet, sfidat dhe ëndrrat tuaja. Unë e njoh Petritin personalisht prej më shumë se 20 vitesh, që nga koha kur ishim bashkë aktivistë të rinisë demokratike”, theksoi kryetari i PDK-së.
Tubimi në Drenas shënoi një fillim të fuqishëm të fushatës, duke konfirmuar mbështetjen e madhe që PDK dhe kandidati i saj, Petrit Hajdari, gëzojnë në këtë komunë, transmeton Klankosova.tv.
Pas kryetarit të PDK-së, para qytetarëve foli edhe kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit, Petrit Hajdari, i cili paraqiti vizionin dhe zotimet e tij konkrete për mandatin e ardhshëm.
“Unë nuk e tradhtoj kurrë këtë qytet. Unë nuk bëj pazare me pushtetin. Unë nuk e përdor PDK-në si mbulesë për interesa personale. Unë vendos vet, dhe vendos vetëm me ju”, tha Hajdari.
Më tej, ai tha se vjen para qytetarëve të Drenasit me një alternativë të re, me një vizion më njerëzor për Drenasin, një vizion i bazuar te shërbimi, jo te sundimi.
“Një vizion pa protagonizëm personal, pa arrogancë, pa kult individi, pa mburrje e vetëlavdërime. Drenasi nuk ka nevojë për një kryetar që mbyll derën, por për një kryetar që e hap atë për çdo qytetar, për çdo familje, për çdo sipërmarrës që kërkon të hapë vende të reja pune”, deklaroi Hajdari.
Ai kujtoi se programi i tij është ndërtuar përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët. Duke shpallur zotimet kryesore për mandatin e tij, ai tha:
“Në vitin e parë të qeverisjes, taksa komunale do të ulet për 50%. Buxheti për bujqësi do të dyfishohet. Do të nisë pilot-projekti për mësimin gjithëditor dhe do të sigurohet transport për nxënësit që udhëtojnë mbi 3 km. Do të ndërtohen fusha të reja sportive dhe do të hartohet rregullorja për sigurinë e nxënësve. Do të krijohet një platformë digjitale moderne, ku qytetarët përmes telefonit do të raportojnë problemet në kohë reale, dhe komuna do të vijë tek qytetari, jo qytetari tek komuna. Ky është standardi që meriton Drenasi”, tha Hajdari.
The post Memli Krasniqi në Drenas: Më 12 tetor nuk ka balotazh – ka vetëm fitore bindëse për PDK-në dhe Petrit Hajdarin (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.