Meloni vendos kushte për njohjen e Palestinës

Meloni vendos kushte për njohjen e Palestinës

Italia do ta njohë shtetin palestinez vetëm nëse të gjithë pengjet izraelite lirohen dhe nëse grupi palestinez Hamas përjashtohet nga çdo rol në administrimin e Rripit të Gazës.

Kështu deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila gjendet në New York, në kuadër të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.


“Nuk jam kundër njohjes së Palestinës, por duhet të vendosim përparësi”, u shpreh ajo para gazetarëve, duke paralajmëruar se qeveria italiane do të paraqesë një propozim në parlament lidhur me këtë çështje, raportojnë mediat.

Gjatë një fjalimi nga New Yorku, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Meloni theksoi se presioni ndërkombëtar duhet të ushtrohet mbi Hamasin dhe jo mbi Izraelin.

Ajo akuzoi grupin palestinez për fillimin e luftës dhe për pengimin e përfundimit të saj duke refuzuar dorëzimin e pengjeve. Meloni pritet që në ditët në vijim të mbajë një fjalim edhe në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ndryshe, Franca, Britania e Madhe, Kanada, Australia dhe disa vende të tjera së fundi e kanë njohur shtetin e Palestinës. /Telegrafi/