Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se është koha që Bashkimi Evropian të fillojë dialogun me Rusinë për të luajtur një rol kuptimplotë në negociatat aktuale për Ukrainën.
“Mendoj se është ardhur momenti që Evropa të flasë edhe me Rusinë. Sepse nëse Evropa vendos të marrë pjesë në këtë fazë të negociatave duke folur vetëm me njërën nga dy palët, kam frikë se kontributi pozitiv që mund të japë do të mbetet i kufizuar,” tha Meloni gjatë një konference për mediat.
Ajo theksoi se kjo ide nuk është e re dhe se pajtohet me Presidentin francez Emmanuel Macron, i cili në dhjetor 2025 sugjeroi se do të ishte “shumë e dobishme” që Evropa të rifillojë dialogun direkt me Vladimir Putin, sidomos nëse përpjekjet amerikane për paqe ngecin.
Megjithatë, Meloni paralajmëroi kundër një qasjeje të çrregullt:
“Nëse bëjmë gabimin të rihapim kanalet e komunikimit me Rusinë, por ta bëjmë në mënyrë të shpërndarë dhe të pakoordinuar, do t’i bënim një favor Putin. Dhe gjëja e fundit që dua në jetën time është t’i bëj një favor Putin.”
Për të shmangur këtë, kryeministrja italiane propozoi emërimin e një të dërguari special të BE-së për Ukrainën, që të lejojë Evropën të flasë me një zë të vetëm dhe të koordinojë pozicionin e saj. Ajo ka mbështetur këtë ide që nga fillimi i konfliktit, duke e quajtur dobësi të Evropës faktin se ka “shumë zëra dhe formate” të ndryshme.
Ky qëndrim vjen në një kontekst ku SHBA-të, nën administratën e Trump, po udhëheqin negociatat kryesore për paqe në Ukrainë, ndërsa Evropa po përpiqet të ketë një rol më aktiv.
Gjithashtu, Meloni sqaroi se është “absolutisht e parakohshme” të flitet për kthimin e Rusisë në G8 (ish-G7), dhe ripërsëriti se Italia nuk ka ndërmend të dërgojë trupa në Ukrainë për garanci sigurie.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit


