Melanoma shfaqet më rrallë te personat me tatuazhe

news image

Personat që kanë bërë më shumë se një seancë tatuazhesh mund të kenë më pak rrezik për të zhvilluar melanomë, një lloj i rrezikshëm i kancerit të lëkurës, sipas një studimi të ri nga Huntsman Cancer Institute në Universitetin e Utah.

Ekipi i udhëhequr nga doktoresha, Jennifer Doherty bashkëdrejtuese e Cancer Control and Population Sciences Program, ka analizuar të dhënat e 7 mijë banorëve të Utahs dhe ka gjetur se personat me dy ose më shumë seanca tatuazhesh kishin më pak gjasa të zhvillonin melanomë, qoftë ajo invazive apo “in situ” (kur qelizat kancerogjene mbesin vetëm në sipërfaqen e lëkurës dhe hiqen më lehtë).

Megjithatë, studiuesit kanë vërejtur një prirje të kundërt te personat me vetëm një seancë tatuazhi, këta kishin rrezik më të lartë për melanomë, sidomos për formën “in situ”. Pse ndodh kjo mbetet ende e paqartë dhe kërkon më shumë hulumtime.

“Tatuazhet po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe janë një formë e ekspozimit ndaj substancave të jashtme që është shumë pak e studiuar, sidomos te të rinjtë. Ne kemi nevojë të kuptojmë më mirë si ndikojnë ato në rrezikun për lloje të ndryshme të kancerit”, ka thënë Doherty.

Ajo ka shtuar se për melanomën, rezultatet duken të përziera, por te personat me dy, tre apo katër tatuazhe shihet ulje e rrezikut.

Doktoresha Rachel McCarty, autore kryesore e studimit, ka thënë se ekipi ishte i befasuar.

“Rezultatet që tatuazhet mund të ulin rrezikun për melanomë na habitën. Por kjo nuk është një çështje bardh e zi që ‘bëj më shumë tatuazhe dhe ulet rreziku’. Duhet të kuptojmë nëse kjo lidhet me sjellje të kujdesshme ndaj diellit, faktorë fizikë, apo ndoshta me reagim të dobishëm të sistemit imunitar që ndikon te qelizat parakanceroze”, ka thënë ajo.

Një shpjegim i mundshëm është se personat me disa tatuazhe tregohen më të kujdesshëm ndaj diellit, përdorin krem mbrojtës dhe kujdesen më shumë për lëkurën. Po ashtu, tatuazhet mund të veprojnë si barrierë fizike ndaj rrezeve ultra vjollcë (UV) ose të nxisin reagim imunitar që ndihmon kundër qelizave të dëmshme.

“Artistët e tatuazheve tashmë këshillojnë klientët të përdorin krem dielli për të mbrojtur ngjyrën e tatuazhit. E dimë që përdorimi i kremit mbrojtës është thelbësor për të gjithë, me apo pa tatuazhe. Por për ata me tatuazhe është edhe më e rëndësishme, që të parandalojnë dëmet shtesë kur pigmentet shpërbëhen nga ekspozimi në diell”, ka theksuar McCarty.

Megjithëse ky studim sugjeron se tatuazhet mund të lidhen me rrezik më të ulët për melanomë, nuk vlen e njëjta gjë për llojet e tjera të kancerit. Hulumtime të mëhershme nga i njëjti ekip dhe një studim suedez kanë treguar lidhje të mundshme mes tatuazheve dhe disa llojeve të leukemisë.

Rezultatet e studimit u publikuan në Journal of the National Cancer Institute.

“Rajoni i Mountain West, që ne e shërbejmë, ka disa nga nivelet më të larta të melanomës në SHBA”, ka thënë doktori Douglas Grossman, bashkëdrejtues i Qendrës së Melanomës në Huntsman Cancer Institute.

Sipas tij, të kuptuarit më mirë të faktorëve të rrezikut do të ndihmojë në përmirësimin e strategjive parandaluese.

“T’i këshillojmë pacientët më saktë dhe, në fund, të shpëtojmë jetë”, ka thënë ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/