Mediumi zviceran: Snajperë, ekspertë të dronëve dhe shitje të kufizuara të biletave – Shqipëria kundër Serbisë është shumë më tepër sesa thjesht futboll

Mediumi zviceran: Snajperë, ekspertë të dronëve dhe shitje të kufizuara të biletave - Shqipëria kundër Serbisë është shumë më tepër sesa thjesht futboll

Mediumi zviceran nzz.ch ka shkruar një artikull të gjatë sesi ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë këtë të shtunë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës shihet si më shumë sesa një duel futbolli dhe se është një ngjarje me ngarkesë të lartë politike dhe emocionale.

Sipas tyre, autoritetet serbe kanë përgatitur masa të rrepta sigurie: qindra policë, snajperë, ekspertë të dronëve dhe forca speciale do të rrethojnë stadiumin në qytetin e vogël të Leskovcit, me vetëm 8,100 vende. Shqipëria nuk do të ketë tifozë në stadium, pasi biletat për sektorin mysafir nuk u vunë fare në shitje, në përpjekje për të shmangur përsëritjen e incidenteve të vitit 2014.


Në tetorin e atij viti, një dronë me flamurin e ashtuquajtur të “Shqipërisë së Madhe” fluturoi mbi fushën në Beograd, duke ndezur një konflikt të hapur mes lojtarëve e tifozëve dhe duke bërë që ndeshja të ndërpritej.

Pasojat u ndjenë në mbarë rajonin: në Kosovë pati festa e përplasje, në Serbi u dogjën flamuj, ndërsa tensionet u shpërndanë edhe në qytetet evropiane me diasporë shqiptare e serbe. Që atëherë, çdo përballje mes këtyre dy vendeve është parë si një ndeshje me potencial shpërthyes.

Në qendër të përplasjes qëndron çështja e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, por që Serbia ende refuzon ta njohë. Tifozët serbë e shprehin hapur nacionalizmin e tyre, shpesh duke u fotografuar me simbole historike dhe flamuj të “Serbisë së Madhe” në enklavat serbe të Kosovës. Nga ana tjetër, tifozët shqiptarë i përgjigjen me simbole të “Shqipërisë natyrale” dhe me këngë për UÇK-në në ndeshjet vendase.

Këto tensione janë reflektuar edhe në arenën ndërkombëtare. Në Euro 2024, lojtari shqiptar Mirlind Daku u pezullua pas thirrjeve fyese ndaj Serbisë, ndërsa tifozët serbë u gjobitën për tentativa për të djegur një flamur shqiptar. Këto episode tregojnë se përplasjet historike mes dy popujve shpesh shpërthejnë përmes futbollit, që kthehet në simbol identiteti dhe krenarie kombëtare.

Megjithatë, përpjekjet për qetësim ekzistojnë. Ndeshja e parë mes dy kombëtareve në këto kualifikuese (0–0 në Tiranë) kaloi pa incidente, falë masave të rrepta të Federatës Shqiptare (FSHF) që kufizoi shitjen e biletave dhe i përzgjodhi ato përmes llotarisë. Pavarësisht protestave të tifozëve ultras, ndeshja u zhvillua në paqe, gjë që u vlerësua si një fitore e vogël për sportin dhe diplomacinë.

telegrafi.com

Një tjetër shenjë afrimi është vendimi i UEFA-s që Kampionati Evropian U21 i vitit 2027 të organizohet bashkë nga Serbia dhe Shqipëria – me hapjen në Novi Sad dhe finalen në Tiranë. Kjo ide u shty nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si një projekt bashkëpunimi sportiv e diplomatik në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Megjithatë, kundërshtitë nacionaliste mbeten të forta. Grupi i tifozëve shqiptarë e kundërshtoi ashpër organizimin e përbashkët, duke e quajtur “bashkëpunim me vrasësit”.

Në këtë klimë tensioni, ndeshja e kësaj fundjave shihet jo vetëm si një betejë për pikë, por edhe si një test i madh për gatishmërinë e të dy vendeve për të bashkëjetuar në arenën sportive dhe politike në vitet që vijnë. /Telegrafi/