Donald Trump duket se e ka zbutur retorikën e tij në lidhje me veprimet e mundshme ushtarake të SHBA-së në Iran, pasi tha se i është thënë se “vrasjet në Iran po ndalen”.
Por përgatitjet për një ndërhyrje të mundshme kanë filluar këtë javë, raportoi NBC News, shkruan Sky News.
Sipas mediumit në fjalë, Trump të martën i ka përshkruar ekipit të tij të sigurisë kombëtare se çfarë donte të arrinte çdo veprim ushtarak i SHBA-së në Iran.
Dhe Pentagoni tani ka përshtatur opsione për të përmbushur objektivat e tij ushtarake, thanë për NBC News dy zyrtarë amerikanë dhe një person i njohur me diskutimet.
Këto opsione do t’i paraqiteshin Trump të mërkurën, mësoi transmetuesi.
I pyetur nëse presidenti u dha udhëzime ndihmësve të tij mbi objektivat e tij në Iran, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se “të gjitha opsionet janë në dispozicion të Presidentit Trump për të adresuar situatën në Iran”.
Sipas një zyrtari të dytë të Shtëpisë së Bardhë, Trump u informua të martën për numrin e protestuesve të vrarë gjatë një takimi mbi Iranin të kryesuar nga JD Vance dhe kërkoi më shumë informacion mbi këtë temë.
Ndërkohë, Donald Trump ka dhënë hollësi mbi deklaratat e tij të mëparshme se SHBA-së i është thënë se vrasjet në Iran “po ndalen” dhe ekzekutimet nuk do të kryhen.
Presidenti amerikan tha se kishte marrë informacionin nga “burime shumë të rëndësishme nga pala tjetër”.
“Do ta zbulojmë, do ta zbuloj pas kësaj”, tha ai në lidhje me vërtetësinë e pretendimeve për vrasje.
“Por më thanë se nuk do të ketë ekzekutim dhe shpresoj se kjo është e vërtetë”, shtoi ai.
I pyetur nëse këto nënkuptonin se veprimi ushtarak amerikan ishte jashtë diskutimit, Trump tha: “Do ta vëzhgojmë dhe do të shohim se cili është procesi, por na është dhënë një deklaratë shumë e mirë nga njerëz që janë të vetëdijshëm për atë që po ndodh”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


