Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës në fshatin Pollatë të Podujevës, ku tre persona dyshohet se kanë sulmuar zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, duke përdorur edhe një traktor për të goditur veturën e Policisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, derisa zyrtarët e Njësisë Speciale Operative (NJSO), të cilët po asistonin Policinë Kufitare në kuadër të planit operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, kishin ndaluar një traktor të ngarkuar me dru të prera ilegalisht dhe po e përcillnin drejt Stacionit Policor në Podujevë.
Në afërsi të xhamisë në fshatin Pollatë, tre të dyshuarit B.R., R.R. dhe M.R. kanë goditur qëllimisht një automjet zyrtar të Policia e Kosovës. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, ata kanë përdorur një veturë Golf 4 dhe një traktor, ku ky i fundit, i drejtuar nga njëri prej të dyshuarve, ka përdorur edhe lugën e vendosur përpara për të përplasur makinën e policisë.
Si pasojë e përplasjes, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Dy nga të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyshuari tjetër është kapur më vonë në shtëpinë e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe forenzikës nga Stacioni Policor në Podujevë, si dhe njësitë rajonale hetimore dhe të forenzikës.
Pas intervistimit të të dyshuarve në prezencë të avokatëve mbrojtës, me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, ndërsa për dy prej të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në zhvillim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


