Qeveria “Kurti 3” ka një grua më pak ministre krahasuar me mandatin paraprak. Në “Kurti 2”, gjashtë ministri udhëhiqeshin nga gratë, ndërsa tani vetëm pesë ministri. Kjo, sipas organizatave të shoqërisë civile, po vlerësohet si shkelje e Ligjit për Barazinë Gjinore nga ana e Qeverisë.
Në këtë mënyrë, sipas tyre, kjo praktikë i hapë rrugë normalizimit të mosrespektimit të kuotës gjinore.Nga 19 ministri sa ka kabineti i Qeverisë “Kurti 3”, vetëm pesë prej tyre udhëhiqen nga gratë.
Ato janë Ministria e Drejtësisë nga Donika Gërvalla, ajo e Kulturës dhe Turizmit nga Saranda Bogujevci, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga Fitore Pacolli, Ministria e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit nga Mimoza Kusari dhe ajo e Ekonomisë nga Artane Rizvanolli.
Një përbërje e tillë, saktësisht pak mbi 26 për qind, bie ndesh me Ligjin për Barazi Gjinore, i cili obligon një përfshirje të barabartë për të dyja gjinitë, saktësisht 50 për qind.
Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerësojnë se Qeveria e re nuk ka vepruar konfrom ligjit në fuqi.
“Në këtë rast, Qeveria e ka shpërfillur këtë obligim i cili kërkon 50 për qind përfaqësim dhe në këtë rast, janë emëruar vetëm 5 gra ministre. Prej anës sonë, është përfaqësues i plotë se barazia gjinore po mbetet vetëm në deklarata publike dhe po normalizohet, po vazhdon të normalizohet pabarazia gjinore”, ka deklaruar Ema Pula – GLPS për Dukagjinin.
Sipas Pulës, një përbërje e tillë mbetet veprim i përsëritur.
“Nëse e krahasojmë me kabinetin e qeverisë së kaluar, ka rënie edhe pse nuk mund të themi që në kabinetin e kaluar përfaqësimi ka qenë ideali apo brenda ligjit për barazi gjinore siç kërkohet. Është indikacion i qartë që gratë nuk po përfshihen në vendimarrje dhe në të njëjtën kohë, ka mungesë të përfilljes ligjore”, ka theksuar ajo.
E sipas aktivisteve të organizatave për të drejtat e grave, ky veprim po hap dyert për normalizimin e mosrespektimit të kuotës gjinore.
“Në kohën kur vendi synon forcimin e përfaqësimit të barabartë gjinore, në nivele të larta vendimmarrëse nuk do të duhej të ishte çështje e vullnetit politik kabineti 50/50, por standard i pa negociuar. Mungesa e balancës gjinore në Kurti 3, hapë dyert që edhe institucionet me të ulta të mos e respektojnë me ligjin dhe të mos ofrojnë hapësire për gratë dhe vajzat. Kurti, me ketë është duke treguar se nuk është thjeshtë çështje numrash është çështje pushteti. Përmes kësaj është duke u riprodhuar i njëjti sistem patriarkal që për dekada ka përjashtuar vajzat dhe gratë nga politik bërja.
Barazia gjinore nuk është privilegj e as kompromis politik. Është e drejtë themelore dhe detyrim institucional. Çdo devijim nga ky standard nënkupton vazhdimësi të pabarazisë strukturore dhe mungesë të vullnetit për të ndryshuar situatën. Gratë nuk po kërkojnë favore por hapësirën që u takon”, ka deklaruar Anita Nikaj, aktiviste për të drejtat e grave.
Në Qeverinë Kurti 2, në kabinetin qeverisës prej 15 ministrive, bënin pjesë bënin gjashtë gra në pozita udhëheqëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


