Me rroba të njëjta, por me zë që bëri jehonë – ky është James Rubin!

Me rroba të njëjta, por me zë që bëri jehonë – ky është James Rubin!

Me të njëjtat rroba, por i buzëqeshur dhe jashtëzakonisht i qartë në dëshminë e tij dyditore para Gjykatës Speciale.

Ky është James Rubin – amerikani, zëri i të cilit bëri jehonë në sallën e gjyqit në Hagë, aty ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen tash e gati pesë vjet, njofton Klankosova.tv.

Për paraqitjen e tij para trupit gjykues, ish-zyrtari i lartë amerikan zgjodhi një kostum klasik të zi, të kombinuar me këmishë të bardhë dhe kravatë blu të errët, një paraqitje e thjeshtë, por që mbante peshë.

Si të hënën, ashtu edhe sot, Rubin hyri në sallë me buzëqeshje të qetë, u ul në karrigen e tij dhe qëndroi me orë të tëra për të thënë atë që dinte, atë që kishte parë me sytë e tij dhe dëgjuar me veshët e tij.

Me flokë që i janë thinjur tashmë pasi ka arritur moshën 65-vjeçare, Rubin tregoi gjerë e gjatë atë që kishte përjetuar vetë për aq kohë sa kishte qëndruar në Kosovë, por edhe më tej.

Rubin i cili po dëshmon në mbrojtje të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ndihmëssekretar i shtetit për çështjet publike dhe zëdhënës zyrtar gjatë administratës së Bill Clinton dhe sekretarit të shtetit Madeleine Albright. Ai ishte një nga figurat kyçe të politikës së jashtme të ShBA-së në fund të viteve ’90.

Ai luajti një rol të rëndësishëm në komunikimin e politikës amerikane gjatë luftës në Kosovë dhe ndërhyrjes së NATO-s në 1999, njofton Klankosova.tv.

Rubin ka vizituar shpesh rajonin dhe ka qenë një përkrahës i zgjidhjeve diplomatike për krizën në Kosovë dhe stabilitetin në rajon. Ka mbrojtur publikisht ndërhyrjen e NATO-s si të domosdoshme për ndalimin e spastrimit etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

The post Me rroba të njëjta, por me zë që bëri jehonë – ky është James Rubin! appeared first on Klan Kosova.