“Më mirë vonë se kurrë” – Palestina mirëpret vendimin e Britanisë për njohje

news image

Ministrja e Jashtme e Autoritetit Palestinez, Varsen Aghabekian, ka bërë të ditur se Britania është duke u përgatitur për një “hap të guximshëm në një kohë shumë të vështirë” me njohjen zyrtare të Palestinës. Ajo beson se ky vendim që pritet të shpallet në ditët në vijim do të frymëzojë shtetet e tjera të ndjekin shembullin.

Aghabekian tha që masa britanike ishte “më mirë vonë sesa kurrë” dhe theksoi:

“Britania, me peshën e saj, mund të ndikojë te vendet e tjera që të dalin përpara dhe ta njohin, sepse kjo është gjëja e duhur për t’u bërë”.

Ajo gjithashtu shprehu zemërim ndaj Shtëpisë së Bardhë për “mbështetjen e palëkundur” të saj për Izraelin, duke theksuar se njohja e Palestinës nuk duhet parë si shpërblim për terrorizëm, por si një hap drejt drejtësisë, raporton Skynews.

Ministrja tha se mosnjohja ndaj Palestinës edhe mund të perceptohet si “shpërblim për ekstremistët” dhe se nëse pret derisa Izraeli të jetë i gatshëm për negociata, ajo beson se kjo mund të mos ndodhë asnjëherë.

Aktualisht, Palestina është njohur nga rreth tre të katërtat e vendeve të Kombeve të Bashkuara dhe përfshin territoret e Bregut Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/