Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK gjatë muajve të parë të vitit 2025 janë kryer 176 ndërhyrje në gjoks, prej të cilave 125 dolën me diagnozë të kancerit të gjirit.
Këto të dhëna i bëri të ditura drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci, për Ekonomia Online, duke vënë në pah edhe suksesin e zbatimit të një metode të re që ka shmangur heqjen e gjirit për një numër pacientesh, transmeton Klankosova.tv.
Kolgeci bëri të ditur se si rezultat i përdorimit të kësaj metode të re, 22 raste shpëtuan nga heqja e gjirit.
“Gjatë muajve të këtij viti 2025 ne kemi pasur ndërhyrje në gji në 176 raste. Prej tyre kanë rezultuar 125 me kancer të gjirit. E veçanta e këtij viti është se kemi pasur disa pacientë që është bërë kursimi i tij, do të thotë heqjes komplet të gjirit. Kjo për arsye se ne kemi filluar me metodën Sentinel, që ka rezultuar diku me 22 raste që në të kaluarën i është dashur t’u bëhet heqja komplet e gjirit, në këtë vit për shkak të këtij intervenimi dhe për shkak të kësaj metode ne kemi kursyer në 22 raste të kancerit të gjirit”, tha Kolgeci.
Ai sqaroi se trendi i kancerit të gjirit ka pasur luhatje nga muaji në muaj, por vërehet një rritje krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas Kolgecit, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kancerit të gjirit janë të ndryshëm, ku përveç predispozitës gjenetike, ndikim të madh kanë mënyra e jetesës dhe ushqimi. Ai bëri thirrje për vetëdijesim të grave për kontrolle të rregullta dhe diagnozë sa më të hershme, që në shumë raste mund të shpëtojë jetën dhe të shmangë ndërhyrjet radikale.
The post Me metodën “Sentinel”, në QKUK këtë vit u shpëtuan 22 gra nga kanceri i gjirit appeared first on Klan Kosova.