Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër E.B. për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, më 10 gusht të këtij viti rreth orës 20:30, në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., me dashje dhe në mënyrë dinake duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., të njëjtin e privon nga jeta.
“Ngjarja ka ndodhur pas organizimit të një përleshjeje mes qenve, ku pas përfundimit të saj, viktima ishte duke u larguar nga vendi i ngjarjes. I pandehuri e ka ndjekur atë dhe më pas, duke përdorur një mjet të mprehtë – thikë, e ka sulmuar papritur viktimën duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të autopsisë të datës 22.09.2025, lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës.”
“Gjithashtu, i pandehuri E.B., ka poseduar pa leje valide armën e ftohtë – thikën me gjatësi tehu prej 10 cm dhe dorezë 12 cm, me të cilën i ka shkaktuar vdekjen viktimës H.Sh. Me këto veprime i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.”
“Sa i përket veprës penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” nga neni 346 i KPRK-së, rasti është duke u trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm, në kuadër të procedurave hetimore përkatëse, ndaj dy të dyshuarve tjerë, të cilët kanë organizuar luftën me qen. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!