Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Inspektoratin e Punës, ka zhvilluar një aksion të gjerë inspektimi ndaj operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtari në qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit të lëshuar për media, në këtë aksion janë inspektuar gjithsej 114 subjekte ekonomike: 67 qendra masazhi dhe 47 lokale argëtimi dhe rekreacioni me muzikë nate.
Si rezultat i shkeljeve ligjore, siç thuhet, Inspektorati ka mbyllur përkohësisht 30 operatorë ekonomikë për arsye të mosregjistrimit të bizneseve dhe mungesës së pëlqimit ose aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike, transmeton Klankosova.tv.
Përveç mbylljeve, ndaj operatorëve ekonomikë që punonin në kundërshtim me ligjin janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut paralajmëron se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe në rast të konstaktimit të shkeljeve të reja do të ndërmerren masa të menjëhershme për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë.
The post Mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale nate në tërë Kosovën appeared first on Klan Kosova.