Tuesday, March 3, 2026
spot_img
HomeLajmeMbrohen në heshtje të akuzuarit për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”...

Mbrohen në heshtje të akuzuarit për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa” ku vdiqën dy persona

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën janë mbrojtur në heshtje gjashtë të akuzuarit për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” më 2007, ku kishin mbetur të vdekur dy persona.

Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M., dhe P.S., dhe ishin lënduar disa persona të tjerë, raporton Betimi për Drejtësi“.

Paraprakisht, në këtë seancë gjykatësi Alban Ajvazi, bëri të ditur se ka pranur nja parashtresë nga prokurori i rastit, Armend Hamiti, që të lexohen disa deklarata të dëshmitarëve dhe propozime për administrim të provave.

Këtë propozim të prokurorit, mbrojtja nuk e kundërshtoi, andaj u pajtuan që provat e paraqitura nga Prokuroria të konsiderohen të lexuara.

Ndërkaq, sa i përket provave që ndërlidhen me dy të akuzuarit tjerë në këtë rast Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të cilët veçse janë dënuar, prokurori Hamiti kërkoi që të veçohen nga shkresat e lëndës dhe të mos trajtohen në këtë çështje penale.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.

Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

 

 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT