Mbreti Charles takohet me personin më të vjetër në botë, 116 vjeçe: Të gjitha vajzat ishin të dashuruara me ty

Mbreti Charles takohet me personin më të vjetër në botë, 116 vjeçe: Të gjitha vajzat ishin të dashuruara me ty

Mbreti Charles III, 76 vjeç, zhvilloi një vizitë të veçantë në Surrey, ku takoi Ethel Caterham, gruan 116-vjeçare që njihet si personi më i moshuar në botë.

Monarku i mbajti dorën teksa iu prezantua, ndërsa ajo kujtoi momentin kur ai u shpall Princ i Uellsit në vitin 1969, duke shtuar me humor: “Të gjitha vajzat ishin të dashuruara me ty dhe donin të martoheshin me ty”. Ky koment bëri që Mbreti të qeshte me të.


Gjatë takimit, ata folën për kujtime nga pallati mbretëror, përfshirë një festë në kopshtin e Buckinghamit ku Caterham kishte marrë pjesë dekada më parë, shkruan DailyMail.

Në dhomën e saj gjendeshin edhe kartolina dhe urime të shumta që ajo ka marrë ndër vite nga Mbretëresha Elizabeth II dhe vetë Charles me Camillën.

Ethel Caterham, e lindur më 21 gusht 1909, ka një jetë të jashtëzakonshme pas vetes.

Ajo ka jetuar në Indi, Gjibraltar e Hong Kong, ka drejtuar makinë deri në moshën 97-vjeçare, i ka mbijetuar Covid-it në moshën 110 vjeçe dhe sot mbetet dëshmitare e mbi një shekulli historie. /Telegrafi/