Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka bërë publike statistikat për vitin 2024, duke dhënë një pasqyrë të plotë të numrit të pacienteve dhe shërbimeve të ofruara gjatë vitit.
Sipas Kolegjiumit Profesional të kësaj klinike, gjatë vitit 2024 janë hospitalizuar dhe trajtuar gjithsej 20,836 paciente, ndërsa janë realizuar 8,114 lindje, nga të cilat 5,773 ishin lindje normale dhe 2,341 përmes prerjes cezariane.
“Në klinikë janë kryer gjithashtu 2,972 operacione të mëdha gjinekologjike, 1,899 ndërhyrje kirurgjike me anestezion intravenoz të shkurtër, 212 ndërhyrje me anestezion lokal, 7,639 paciente kanë marrë trajtim konservativ, 35,872 vizita ambulatore janë realizuar gjatë vitit. Kjo klinikë mbetet institucioni terciar referues për gjithë vendin për rastet gjinekologjike dhe obstetrike, përfshirë edhe ato më të ndërlikuarat që referohen nga institucione të tjera publike dhe private.”, thuhet në raport.
Kolegjiumi Profesional ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me pacientet dhe familjarët e tyre për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve.
“Po ashtu, janë ftuar të gjitha gratë që kanë shqetësime apo pakënaqësi, t’i adresojnë ato në mënyrë zyrtare dhe të shkruar në institucionet përkatëse – Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, komisioni për Shqyrtimin e Ankesave të Pacientëve – QKUK/ShSKUK ose te organet e tjera kompetente në nivel vendi.”, thuhet në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!