Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të enjten në ora 16:00 janë vlerësuar mbi 32 mijë pako me fletëvotime të ardhura përmes votimit jashtë Kosovës, konkretisht përmes postës.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 28,200 prej këtyre pakove janë aprovuar, ndërsa rreth 2,700 janë refuzuar.
“Arsyeja kryesore e refuzimit është mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokumenti unik që KQZ-ja u dërgon votuesve të regjistruar”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime është përmbyllur të martën dhe është kryer nga 23 kuti postare në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë.
“Janë tërhequr gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë”, thekson KQZ.
Në përfundim të procesit të vlerësimit, KQZ do të publikojë numrin përfundimtar të pakove të aprovuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!