Mbi 200 vendvotime të numëruara për kandidatët për asamble komunale

Mbi 200 vendvotime të numëruara për kandidatët për asamble komunale

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i verifikimit dhe numërimit të votave po vazhdon me ritëm të mirë në nivel vendi.

Elezi tha se deri më tani janë verifikuar rezultatet nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, si dhe rezultatet e subjekteve politike që garuan për Kuvendet Komunale.


Ai gjithashtu njoftoi se ka përparim edhe në numërimin e votave për kandidatët për asamble komunale.

“Deri më tani, janë verifikuar rezultatet nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, si dhe janë numëruar votat për anëtarë të Kuvendeve Komunale nga mbi 200 vendvotime në nivel vendi”, tha Elezi.

Procesi i numërimit dhe verifikimit pritet të vazhdojë gjatë ditëve në vijim, derisa të përfundojë për të gjitha vendvotimet në Kosovë.