Kuvendi Komunal i Obiliqit ka miratuar buxhetin për vitin 2026, gjatë mbledhjes së rregullt ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi.
Mbledhjen e hapi Kryesuesja e Kuvendit, Vlora Mjekiqi Kabashi, e cila prezantoi rendin e ditës dhe trajtoi pikat e propozuara për diskutim dhe miratim, përcjell Telegrafi.
Në pikën kryesore të rendit të ditës, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi Planifikimin e Buxhetit për vitin 2026 dhe parashikimet për vitet 2027–2028, duke vendosur një buxhet total prej 16,281,831 euro.
Buxheti synon të mbështesë vazhdimësinë e projekteve të zhvillimit lokal, përfshirë: mbështetjen e bujqësisë dhe fermerëve, kulturës, rinisë dhe sportit, zhvillimin e bizneseve të reja dhe ekzistuese, projektin e kogjenerimit, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve publike, arsimore dhe shëndetësore.
Miratimi i buxhetit për vitin 2026 reflekton angazhimin e komunës për qeverisje të përgjegjshme dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët e Obiliqit. /Telegrafi/