Mbi 10 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë, konfiskohet një pjesë e saj

Mbi 10 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë, konfiskohet një pjesë e saj

Në Pikën Kufitare Vërmicë, gjatë një kontrolli të detajuar ndaj një automjeti që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës, janë zbuluar mjete monetare të padeklaruara.

Sipas një njoftimi të Doganës së Kosovës bëhet e ditur se pas pyetjes së zakonshme nga zyrtarët doganorë, udhëtari kishte deklaruar se nuk posedonte mjete monetare për deklarim.


“Megjithatë, pas kontrollit të detajuar në vijën e dytë, u konstatua se ai posedonte mjete monetare që tejkalonin kufirin e lejuar prej 10,000 eurosh, pa bërë deklarimin paraprak. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e parapara ligjore, ku është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve është ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Dogana e Kosovës rithekson rëndësinë e respektimit të obligimeve ligjore nga të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë përmes pikave kufitare, duke rikujtuar se çdo shumë mbi 10,000 euro, e bartur në hyrje apo dalje nga territori i vendit, duhet të deklarohet paraprakisht pranë zyrtarëve doganorë. /Telegrafi/