Në një plazh në Letoni u gjet një fragment i dronit rus Geran, ndërsa në Poloni u zbuluan pjesë të një rakete, që dyshohet se është përdorur për rrëzimin e një prej këtyre dronëve, njoftuan autoritetet lokale.
Këto gjetje ndodhën pak më shumë se një javë pasi Rusia kreu shkeljen më të madhe të hapësirës ajrore të NATO-s që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, kur të paktën 21 dronë hynë në territorin e Polonisë gjatë një sulmi masiv ndaj Ukrainës, shkruan Kyiv Independent.
Pjesa e bishtit të dronit Geran u gjet pranë fshatit letonez Varve, në qarkun perëndimor të Ventspilsit. Ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Andris Spruds, konfirmoi se, sipas vlerësimit të ushtrisë, mbetjet nuk përmbanin eksploziv. Letonia është, kujtojmë, një anëtare e NATO-s.
Dronët e tipit Geran janë projektuar si karrema për të mbingarkuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Janë të ndërtuar nga shkumë plastike dhe kompensatë, peshojnë më pak se 20 kilogramë dhe kanë rreze veprimi deri në 600 kilometra. Besohet se pikërisht këto lloj dronësh më 10 shtator shkelën hapësirën ajrore të Polonisë.
Kryeministrja letoneze, Evika Silina i kërkoi ministrave të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të kontaktojnë me kolegët polakë për të përcaktuar nëse droni i gjetur është një nga ata që u panë mbi Poloni javën e kaluar.
“Prioriteti ynë është forcimi i kufirit lindor, por është e qartë se mbrojtja e bregdetit të Detit Baltik përmes vendosjes së sensorëve të nevojshëm është po aq e rëndësishme”, shkroi Silina në rrjetin social X.
Në të njëjtën kohë, policia ushtarake polake raportoi dje për gjetjen e fragmenteve të një rakete në fshatin Choiny, rreth 70 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Dyshohet se bëhet fjalë për një armë të përdorur për rrëzimin e një droni rus. Policia deklaroi se nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe se hetimet forenzike janë në vijim.
Rajoni i Lublinit, ku u gjetën mbetjet, ndodhet pranë kufirit me Ukrainën dhe ka qenë skenë e shumicës së shkeljeve të hapësirës ajrore javën e kaluar. Varshava konfirmoi atëherë se aeroplanët polakë dhe aleatë kishin rrëzuar të paktën tre dronë rusë. Gjatë incidentit u dëmtua një shtëpi, dhe mediat polake spekulojnë se dëmi mund të jetë shkaktuar nga një raketë e lëshuar nga një aeroplan luftarak polak F-16.
Megjithëse autoritetet polake nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht shkakun e dëmit, ato kanë theksuar se përgjegjësinë përfundimtare e mban Rusia.
Vetëm disa ditë pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët, një tjetër dron rus shkeli edhe hapësirën ajrore të Rumanisë, ku, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, qëndroi për rreth 50 minuta.
Zelensky deklaroi se me këto provokime, Rusia synon të mbjellë dyshime midis vendeve anëtare të NATO-s në lidhje me ofrimin e sistemeve të mëtejshme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.
Që nga viti 2022, dronët rusë kanë hyrë disa herë në hapësirën ajrore të NATO-s, përfshirë Lituaninë, Poloninë dhe Rumaninë, por deri në incidentin e 10 shtatorit nuk kishte raste të konfirmuara ku mbrojtja ajrore e Aleancës t’i kishte rrëzuar ata. /Telegrafi/