Mbappe tregon përvojën e tij me Messin: Njeri normal, por si lojtar është unik

Mbappe tregon përvojën e tij me Messin: Njeri normal, por si lojtar është unik

Kylian Mbappe ka ndarë përshtypjet e tij për periudhën kur luajti përkrah Lionel Messit te Paris Saint-Germain, nga viti 2021 deri në vitin 2023.

Sulmuesi francez e përshkroi eksperiencën si “të veçantë” dhe theksoi se bashkëpunimi me yllin argjentinas e ka ndihmuar të kuptojë më mirë lojën.


“Kur dëgjon shprehjen ‘lojtarë që kanë shkruar emrin e tyre në historinë e futbollit’, menjëherë mendon për Messin. Sigurisht”, tha Mbappe.

“Si është ai në jetën reale? Plotësisht normal. Kur je i famshëm, njerëzit shpesh të vënë etiketa, dhe nëse nuk e sheh vetë, mund t’i besosh edhe ato. Por Messi është shumë i respektueshëm për të gjithë”.

Mbappe vlerësoi edhe aspektin profesional të Messit, duke e cilësuar si një lojtar të papërsëritshëm.

“Si lojtar, ai është unik. Kur ke një futbollist si ai në ekipin tënd dhe luan futboll sulmues, e tëra çfarë mund të bësh është të jesh pranë tij dhe të shikosh gjithçka që bën, si i përfundon sulmet, si e ndal topin dhe si i pason. Të qenit kaq afër tij më ndihmoi shumë ta kuptoja lojën më mirë”.

Ylli i kombëtares franceze shtoi se fillimisht kishte menduar se do ta përballej me Messin si kundërshtar, jo si bashkëlojtar, dhe e quajti përvojën në PSG “vërtet të veçantë”.

Sipas tij, vitet e kaluara përkrah superyllit argjentinas ishin një periudhë e çmuar mësimi dhe frymëzimi në karrierën e tij. /Telegrafi/