Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka shprehur edhe një herë admirimin e tij të thellë për Cristiano Ronaldon, duke e cilësuar yllin portugez si modelin e tij dhe referencën kryesore në futboll.
Në një intervistë të fundit, kapiteni i Francës foli për ndikimin e madh që Ronaldo ka pasur në karrierën e tij, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
“Cristiano Ronaldo ka qenë gjithmonë modeli im, një shembull për mua. Jam me fat që flas me të, ai më jep këshilla, më ndihmon”, ka deklaruar Mbappe.
“Cristiano është numri një. Referenca e Real Madridit. Njerëzit ende ëndërrojnë dhe flasin për Cristianon tani”, përfundoi francezi.
Mbappe, i cili ndoqi hapat e pesë herë fituesit të Topit të Artë duke u bashkuar me Real Madridin, pranoi se trashëgimia e Ronaldos në “Santiago Bernabeu” është e jashtëzakonshme dhe frymëzuese.
Ai shtoi se profesionalizmi, mentaliteti dhe qëndrueshmëria e Ronaldos vazhdojnë ta motivojnë në përpjekjen e tij për të ndërtuar një trashëgimi të qëndrueshme në botën e futbollit. /Telegrafi/