Mbahet takimi i rregullt i Këshillit Komunal të Pejës për siguri

Mbahet takimi i rregullt i Këshillit Komunal të Pejës për siguri

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Pejës, i kryesuar nga Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, ka mbajtur takimin e katërt për vitin 2025, duke diskutuar gjendjen aktuale të sigurisë dhe zhvillimeve infrastrukturore në komunë.

Takimin e hapi Koordinatori i KKSB-së, Fatmir Asllani, i cili konfirmoi pjesëmarrjen, prezantoi rendin e ditës dhe procesverbalin e mbledhjes së kaluar, i cili u miratua nga të gjithë anëtarët.


Gjatë mbledhjes u diskutua për gjendjen e sigurisë në territorin e komunës, situatën në shkolla në fillim të vitit shkollor 2025-2026, sanimin e rrugëve dhe infrastrukturës rrugore në qytet dhe fshatra, si dhe shqetësimet e qytetarëve lidhur me sigurinë publike.

Kryetari Muhaxheri raportoi për projektet infrastrukturore në përfundim, përfshirë urën që lidh pjesën te Universi me ish-Kombinatin e Lëkurë Këpucëve, asfaltimin e disa rrugëve në qytet dhe Rugovë, ndërtimin e kanalëve të ujitjes, punimet në ndriçimin publik në fshatrat Nakull dhe Gorozhdevc, si dhe ndërtimin e një shtëpie të komunitetit në Ozdrim.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Pejë, Faik Jahmurataj, raportoi se gjendja e sigurisë në komunë vazhdon të jetë e qetë dhe stabile. Drejtori për Arsim, Naser Gega, prezantoi gjendjen në objektet shkollore dhe transportin në zonat rurale, ndërsa Drejtori për Punë Komunale dhe Shërbime Publike, Agron Nikçi, raportoi për sanimin e rrugëve dhe dëmtimet në infrastrukturë.

Udhëheqësi i Sektorit për Teknologji Informative, Labinot Dezdari, foli për sigurinë në komunë, ndriçimin publik dhe monitorimin me kamera, ndërsa znj. Nora Draga nga KLSP identifikoi shqetësimet e qytetarëve lidhur me sigurinë publike.

Mbledhja përfundoi me diskutime, pyetje nga anëtarët e KKSB-së, si dhe konkluzione dhe rekomandime për përmirësimin e sigurisë dhe infrastrukturës në komunë. /Telegrafi/