Mashtrime në emër të ndihmës – Policia paralajmëron qytetarët: Kujdes ndaj kërkesave të tilla

news image

Policia e Kosovës ka njoftuar se në ditët e fundit janë shtuar ankesat e qytetarëve dhe bizneseve që raportojnë raste mashtrimi në emër të ndihmës financiare për persona të tretë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, personat e panjohur i kontaktojnë qytetarët përmes telefonatave në aplikacione si Viber dhe WhatsApp, duke përdorur numra nga shtetet fqinje si Bosnja dhe Hercegovina apo Mali i Zi, dhe kërkojnë që mjetet financiare të dërgohen përmes shërbimeve si Western Union dhe MoneyGram.

Policia bën të ditur se më vonë viktimat kuptojnë se paratë nuk janë përdorur për qëllime ndihme, por për përfitime personale të individëve të dyshuar.

“Bazuar në këto rrethana, u bëhet apel qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj kërkesave të tilla, pasi hetimet e deritanishme kanë konstatuar se bëhet fjalë për skema mashtruese me qëllim përfitimi personal.”, thuhet mes të tjerash.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/