Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesën e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së lidhur me votimin e fshehtë, për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas vendimit të Kushtetueses deputetëve u ndalohet çdo veprim pas kalimit të afatit prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, e që është data 26 korrik, transmeton Klankosova.tv.
Kjo masë pritet të hyjë në fuqi më 27 korrik dhe ka afat deri më 8 gusht.
Lidhur me këtë, analisti Shkodran Rexhaj tha se ky vendim po kursen deputetët dhe nuk po lejon që të futen më thellë në gabime.
“Realisht nuk e kemi pritur pas kësaj kërkesë, e kemi pritur pas kërkesës së presidentes, fakti që ka qenë njëra prej kërkesave të presidentes që të publikohet masa e përkohshme. Por si po rrjedhin gjërat, besoj se masa e përkohshme së paku nuk do të lejojë deputetët që të futen edhe më thellë në gabimet procedurale, ligjore e kushtetuese. Por në një formë po i largon nga përgjegjësia kushtetuese”, tha Rexhaj.
Derisa politologu Argjend Zejnaj thotë se ngërçi i stërgjatur politik ka shkaktuar pasoja të mëdha për vendin.
Nga ana tjetër, opinionisti Sali Rexhaj thotë se pa u shtjerr të gjitha mundësitë, nuk mund të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, derisa ishte duke diskutuar rreth vendimit më të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
The post Masa e përkohshme e Kushtetueses, Rexhaj: Po i kursen deputetët që të futen më thellë në gabime appeared first on Klan Kosova.